E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Qendra dispeçer, skaner 24-orë sistemit energjetik

E gjithë energjia që prodhohet nga sistemi energjetik shqiptar, ajo që eksportohet, që importohet dhe lëviz në rrjetin e transmetimit të energjisë matet gjatë 24 orëve të ditës nga Drejtoria Qendrore Dispeçer në Tiranë. Ministri i Ekonomisë ka vizituar dje në mesditë këtë qendër, ku ka takuar punonjësit e saj dhe ka përfituar për të njohur gjithë publikun me rëndësinë që ka kjo qendër, e cila regjistron dhe mat gjithë energjinë e prodhuar, eksportuar dhe importuar. “Kam ardhur në këtë që quhet qendra dispeçer e sistemit tonë energjetik, për të takuar të gjithë këta njerëz që punojnë këtu. Që nga miku im i vjetër, Resuli, që ka 40 vjet që punon këtu deri tek të tjerët. Mbi të gjitha kam ardhur në fakt që t’i falënderoj për punën me përkushtim, shumë serioze dhe me sakrifica që bëjnë, duke ndjekur 24 orë çdo gjë që ndodh në sistemin tonë energjetik”, - ka deklaruar Prifti. Ai ka njohur gazetarët me gjithë punën që bëhet në këtë qendër, për të menaxhuar të gjithë sistemin tonë energjetik. Prifti sqaroi se më në detaje janë specialistët, që mund të sqarojnë si funksionon qendra e kompjuterizuar. “Dikur kemi qenë vetëm me atë sistemin e vjetër, me skemën e vet, nëpërmjet të cilit edhe sot matet i gjithë importi dhe eksporti, të gjitha linjat e transmetimit që kemi ne dhe bilanci i shkëmbimit të energjisë. Ndërsa në sistemin e kompjuterizuar, çdo nënstacion, çdo gjë e sistemit tonë energjetik në Shqipëri është këtu. Çdo ndryshim që ndodh në këtë sistem, fiket një nënstacion apo ulet importi, rritet eksporti, vihet një turbinë më shumë në Fierzë, vihet një turbinë më shumë në punë në Koman ose ulet një turbinë, çdo gjë është e regjistruar në mënyrë elektronike”, - ka theksuar Prifti. Duke vizituar këtë qendër, Prifti ka theksuar se nuk ka asgjë për të fshehur në këtë situatë. “Nuk kemi asgjë për të fshehur, memoria elektronike e këtij sistemi këtu ruan çdo lloj të dhëne, çdo lloj ndryshimi, çdo lloj urdhri që mund të jepet nga kushdo qoftë për sistemin tonë energjetik. Absolutisht çdo gjë është e dokumentuar. Nga këtu ne kontrollojmë të gjithë sistemin e Shqipërisë, kontrollojmë të gjitha flukset, frekuencat, japim porosi, ndiz këtë linjë, hiq këtë linjë apo ndiz këtë turbinë e ul këtë turbinë, sepse ka rënë konsumi”, - ka sqaruar ministri.
Nga ana tjetër, ai u ka bërë të ditur gazetarëve se për sa i përket gjendjes në kaskadën e Drinit, vazhdon të ketë një përmirësim të situatës. Niveli i liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vazhdon të ketë ulje dhe njoftoi se është porositur edhe një ulje tjetër e shkarkimeve me 200 metër kub në sekondë. Prifti tha se janë duke i reduktuar me synimin që mbase pas 2 ose 3 ditësh të ndërpriten shkarkimet, nëse do të ketë të njëjtën situatë të motit. “Kemi një situatë goxha më të përmirësuar, i gjithë sistemi energjetik në Shqipëri është në gatishmëri të plotë. Sot (dje) jemi në këtë qendër dispeçer, por besoj që në harkun kohor prej një viti do të kemi një të re, sepse jemi duke ndërtuar në Kashar një qendër ultramoderne. Është një investim i qeverisë shqiptare me një kredi të Italisë dhe puna për ndërtimin e qendrës dispeçer është duke ecur shumë mirë. Megjithatë, për ata që janë skeptikë unë po ju them që çdo gjë që ndodh në sistem është e regjistruar, siç e dëgjuat nga drejtori i qendrës, çdo 6 sekonda. Regjistrohet elektronikisht dhe çdo gjë është e disponueshme për këdo që do të ketë nevojë. Gjej rastin të falënderoj edhe mediat për transparencën që kanë treguar deri tani për situatën”, - tha ministri.

Prifti: Hapja e portave nga Maqedonia, nuk do krijojë probleme

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Dritan Prifti, është shprehur dje se hapja e portave të shkarkimit nga Maqedonia nuk do të krijonte probleme. “Absolutisht, nuk ka asnjë rrezik në lidhje me mënyrën se si vepron Maqedonia me liqenet dhe digat që janë afër kufirit. Unë dhe zoti Muharrem Stojku kemi pasur kontakte me Korporatën Eletroenergjetike të Maqedonisë që në orët e para të mëngjesit. Ata na kanë thënë se nga liqeni do të shkarkohet sot (dje) rreth 100-110 metër kub ujë në sekondë, një shifër e cila është totalisht e papërfillshme për sistemin tonë. Por edhe nëse do të ketë më shumë ne do të përballojmë pa asnjë lloj problemi. Po e përsëris, ne arritëm të përballonim një situatë prurjesh dhe vërshimesh që ndodh një herë në 100 vjet”, - tha Prifti. Sipas tij, derisa Shqipëria arriti të përballojë këtë rast me një ngarkesë maksimale të sistemit tonë, çdo lloj situate që mund të vijë, qoftë nga Maqedonia apo qoftë nga përkeqësimi i kushteve të motit dhe rritjen e prurjeve, sistemin shqiptar mund ta përballojë. Ajo që ndodhi është diçka që ndodh një herë në 100 vjet dhe nuk besoj se brenda tri ditëve do të përsëritet e njëjta gjë.

Aranitasi: Çdo 6 sekonda bëhen matje në sistemin energjetik

Drejtori i Qendrës Dispeçer, Luan Aranitasi, i cili punon në këtë qendër prej 30 vjetësh, tha dje se në këtë qendër bëhen matjet çdo 6 sekonda. “Këtu on-line me një matje çdo 6 sekonda regjistrohet fuqia aktive, reaktive, tensioni i zbardhur dhe rryma për çdo linjë. Këtu ruhet historia dhe me rregull arkivohet për një vit. Pra, kemi matje çdo 6 sekonda për katër parametrat kryesorë për çdo linjë e për çdo agregat, po kështu edhe për nënstacionet e tjera. Përgjithësisht puna e qendrës dispeçer është koordinimi i centraleve, nënstacioneve, linjave dhe konsumatorëve. Kontrollon parametrat kryesorë të një sistemi që është frekuenca dhe niveli i tensionit. Të gjitha këto janë të regjistruara në formë elektronike, me frekuencë çdo 6 sekonda për secilin parametër”, - tha Aranitasi. Ai bëri me dije se duke pasur këto të dhëna, mund të nxirret mesatarja orare, ditore, mujore dhe me radhë. Ai sqaroi se në skemën e sistemit të vjetër mund të shihet çdo lëvizje që ndodh. “Ato aparatet që mund të shikoni tregojnë lëvizjet me Greqinë. Tani që po flasim marrim 83 megavat nga Greqia, ndërsa e dyta tregon lidhjet me Kosovën. Konkretisht japim 211 megavat në Kosovë dhe aparati i tretë është lidhja me Malin e Zi, nga i cili marrim 84 megavat. Shuma e të treve në total është e shfaqur në një tjetër ekran, rreth 45 megavat, konform programit që kemi ne për këtë orë”, - tha drejtori i dispeçerisë. Sipas tij, operatorët e sistemit ndjekin programin orë pas ore dhe kur lind nevoja jepen urdhra për të bërë ndryshimin e gjeneratorëve, ulet e rritet ngarkesa aktive e reaktive sipas rastit konform, regjimit që është përgatitur normalisht një ditë më përpara.

Fierza drejt normalitetit

Hidrocentralet në kaskadën e Drinit po ulin nivelin, duke shkuar në kuotat e tyre normale për sezonin. Burimet zyrtare të KESH-it bënë me dije dje se nivelet e liqeneve në hidrocentralet e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës po shkojnë drejt përmirësimit, pasi prurjet janë në rënie dhe shkarkimet gjithashtu. KESH njoftoi se deri dje në mesditë, situata në liqenin e Fierzës pas shkarkimeve, po shkon drejt normalizimit. Niveli i Fierzës dje rezultoi një metër më pak se një ditë më parë. Prurjet deri dje në mesditë në Fierzë ishin në nivelin 500 m3ujë/sek. Në Fierzë derdhjet e ujit nga mëngjesi që ishin 900 m3ujë/sek shkuan në 880 m3ujë /sek. Fierza me kapacitet 296 metër, dje arriti në nivelin e ujit në 290.58 metër. Në liqenin e Komanit me kapacitet 175 metër, niveli i ujit dje arriti në 170.39 metër, prurjet ishin në 200 m3/ujë, shkarkimi dje në Koman arriti 1100 m3 ujë. Në Vaun e Dejës me kapacitet 76 metër, niveli i ujit dje arriti në 74.10 metër, prurjet shënuan 180 m3ujë/sek, ndërsa shkarkimi në Vaun e Dejës arriti në 1100 m3ujë/sek.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›