Fillimi i shkollës, pa masa konkrete për gripin
Institucionet arsimore janë "të zbuluara" përballë përhapjes së virusit AH1N1, ose siç njihet ndryshe gripi i derrit. Masat e marra deri më tani për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje kanë mbetur vetëm në letra, që do të thotë një udhëzim i afishuar në letra të formatit A4 nëpër xhamat e dyerve kryesore të shkollave. Ndonëse dje ishte dita e parë e shkollës, nuk është marrë asnjë masë konkrete dhe asnjë inspektor nuk është dukur nëpër shkolla. Kështu në Fier, ndërsa në fund të muajit gusht, përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetit Publik në bashkëpunim me drejtues të Drejtorisë Rajonale Arsimore kanë kryer inspektim në shumë shkolla, jo vetëm që nuk kanë mundur që të propagandojnë për plan masash kundër gripit të derrit, i kanë gjetur shkollat, kopshtet dhe çerdhet me një mungesë të theksuar të kushteve higjieno-sanitare. Konfirmohet zyrtarisht si nga DRA-ja dhe nga DSHP-ja e Fierit se kontrolli i nisur në shkolla për parandalimin e përhapjes së mundshme të virusit AH1N1 ka shënuar "kyçjen" e dhjetë institucioneve arsimore, vetëm për faktin e mungesës së kushteve minimale higjieno-sanitare. Ndërsa në të gjitha shkollat e këtij rrethi, drejtues të tyre si dhe stafet pedagogjike janë shprehur se asnjë masë nuk është marrë për t‘i bërë ballë këtij virusi që sot po kërcënon mbarë globin, e që prej ardhjes së tij në Shqipëri ka prekur afro 40 persona. E njëjta situatë ka qenë dhe në qarqe të tjera të vendit. Drejtues të Shëndetit Publik në Kukës kanë pohuar se për disa javë do të vijojnë fushatën e sensibilizimit për higjienën, si dhe gripin e derrit me fletëpalosje dhe me biseda të organizuara. Ndërsa në qytetin e Vlorës, Drejtoria e Shëndetit Publik ka pohuar se kontrollet për virusin e rrezikshëm do të nisin nga dita e martë. Kreu i këtij institucioni, Bruna Ndreu, ka pohuar se sensibilizimi do të konsistojë në shpërndarjen e disa fletëpalosjeve për masat e gripit. "Nëse vërtetohet se një nxënës rezulton të jetë pozitiv ndaj virusit AIHN1, ne si drejtori do të vendosim mbylljen e shkollës, ku nxënësi ka qenë mbartës i virusit", ka pohuar Ndreu. Ndërsa në Elbasan dhe Berat, fakti se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me virusin A1HN1 ka bërë që situata të mos shihet si alarmante. "Në takimet me drejtorët e shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare, përpos problemeve të fillimit të vitit të ri shkollor, kemi kërkuar nga drejtuesit e shkollave një informacion paraprak për gripin e derrit, por gjithçka e shkruar ka qenë e ‘bardhë‘ dhe nuk përbën problem gripi", ka pohuar Mimoza Matraxhiu, drejtoreshë rajonale e Arsimit për Qarkun e Elbasanit.