Tërmeti, 40 nxënës mbeten pa mësim
Të paktën 40 fëmijë në zonën e prekur nga tërmeti i së dielës së kaluar, nuk kanë pasur fatin të nisin vitin e ri shkollor 2009-2010, si të gjithë bashkëmoshatarët. "Tërmeti shkatërrues përveç dëmtimit të qindra shtëpive, ka shkatërruar edhe dy shkolla dhe një qendër shëndetësore", thotë kryetari i komunës Gjoricë, Xhelal Mera. Bëhet fjalë për dy shkolla, ajo nëntëvjeçare në fshatin Lubolesh dhe shkolla e ciklit të ulët në Çerenecin e Poshtëm, të cilat rezultojnë të dëmtuara dhe të pasigurta për nisjen e mësimit. Përparim Balla, banor i fshatit Lubolesh, thotë se fëmijët nuk i ka dërguar në shkollë pasi ajo është e shkatërruar plotësisht. Por, probleme në nisjen e vitit të ri shkollor kanë pasur edhe gjashtë fshatrat e tjerë të komunës Gjoricë. Madje edhe në Gjoricë, qendër e kësaj komune, banorët pohojnë për "Shqip" se fëmijët e tyre nuk i janë gëzuar ditës së parë të shkollës, si gjithë të tjerët. "Ku t‘i bëjmë gati fëmijët për shkollë, në çadra apo jashtë në natyrë. Ja shikoni, kemi ardhur pranë komunës për të siguruar një çadër për të futur kokën dhe të blejmë libra për fëmijët, por edhe librat nuk kemi ku t‘i blejmë se pika e shitjes së tyre nuk është hapur ende edhe pse mësimi ka filluar", thonë ata.