E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH: Rikthehet energjia në Tiranë, Durrës e Lezhë

Autori i Lajmit: red.
Moti i keq, i shënuar në gjithë territorin e vendit, ka sjellë probleme të shumta jo vetëm në lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve, por dhe në furnizimin me energji elektrike. Dje ka pasur ndërprerje të gjata të energjisë në kryeqytet, por dhe në qytetin e Durrësit, ndërsa gjatë këtyre ditëve probleme serioze janë shënuar dhe në rrethe të tjera të vendit. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes njoftoi pasditen e djeshme se janë riparuar defektet në rrjetin elektrik, të shkaktuara nga moti i keq. Energjia është rikthyer në periferitë e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe në Laç.
Masat
Riparohen defektet në rrjetin elektrik dhe në linjat e tensionit të lartë të shkaktuara nga moti i keq dhe reshjet e dendura. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes njoftoi se është riparuar avaria në linjën e transmetimit Koman-Tiranë-Elbasan, kjo ka bërë të mundur rikthimin e energjisë në periferitë e Tiranës dhe Durrësit. Defektet janë riparuar edhe në Laç, ku gjithashtu është rikthyer furnizimi me energji elektrike. Ndërkohë OSSH ka njoftuar gjithashtu se pas riparimit të linjave 35 kV në qytetin e Lezhës, në Velipojë dhe në Malësinë e Madhe, të dëmtuara nga moti i keq, u rikthye energjia elektrike në Lezhë, etj. Ndërkaq, puna po vazhdon për riparimin e linjave në disa fshatra malore në rrethin e Librazhdit, bënë të ditur burimet zyrtare të OSSH-së. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes njoftoi se grupet e punës po qëndrojnë në gatishmëri, për të riparuar çdo avari që shkaktohet nga moti i keq. Reshjet e dendura të shiut dhe të borës kanë shkaktuar ditët e fundit shumë defekte në rrjetin elektrik, duke lënë kështu pa energji zona të tëra.
Situata
Për shkak të reshjeve të shumta të dëborës dhe motit të keq në zonat veriore dhe verilindore të vendit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të dëmtimeve të linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët. Ndër zonat më të prekura kanë qenë Kukës, Has, Tropojë, zona Malësi e Madhe, Vermosh, zona Dibër, komuna e Arrnit dhe komuna e Lurës, Pukë, Iballë si dhe një pjesë e rrjetit të shpërndarjes në zonën e Korçës, Librazhdit dhe Gramshit. Sipas Ministrisë së Energjetikës, grupet e gatishmërise dhe likuidimit të avarive të OSSH-së kanë funksionuar dhe kanë marrë të gjitha masat për eliminimin e defekteve dhe avarive të ndodhura. Që në ditën e djeshme dhe deri tani janë riparuar rreth 80 për qind e këtyre avarive. Probleme ka në Vermosh, në dy komuna të Hasit dhe në një komunë të Kukësit. Nga ana tjetër, sipas të njëjtit burim, për të ruajtur linjat dhe rrjetin shpërndarës në Librazhd dhe Gramsh janë bërë ndërprerje të programuara me qëllim ruajtjen e rrjetit të shpërndarjes nga stuhia dhe mosdëmtimin e pajisjeve. Në njoftim gjithashtu sqarohet se situata në kaskadat e lumenjve është normale. Si rezultat i shirave të ditëve të fundit niveli në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 284.6 metra. Prurjet aktualisht janë 250 metër kub në sekondë dhe në këtë hidrocentral po punohet me tre agregate, ashtu si dhe në Koman, ndërsa në Vaun e Dejës po punohet me katër agregatë. Gjithashtu, Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica po punojnë me ngarkesë të plotë. Ndërkohë vazhdon të merret edhe energjia e kontraktuar e importit. Sipas të dhënave të fundit të KESH, shtresa e dëborës në Fierzë është 20 centimetër, ndërsa në male trashësia e dëborës ka arritur mbi një metër, çka do të thotë prurje edhe më të mëdha në ditët në vijim.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›