E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filloi i pari

Panairi Ndërkombëtar i Librit “Prishtina 2011” i hapi dyert e veta të martën mbrëma. Botuesit nga trojet shqiptare, për pesë ditë më radhë, do t’i prezantojnë botimet e tyre para lexuesit kosovar. Nga Alfred Beka më 04 maj 2011 në ora 12:07

Edhe pse më herët kishin konfirmuar pjesëmarrjen në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit “Prishtina 2011”, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa nuk qenë të pranishëm, të martën mbrëma, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku u hap panairi i parë i librit i organizuar nga Unioni i Botuesve të Kosovës. e pranishme nuk qe as presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, mirëpo, në emër të saj qe këshilltari i presidentes Qëndrim Gashi.

Behxhet Bici, kryetar i Unionit të Botuesve të Kosovës, u shpreh më këtë rast se në këtë panair po marrin pjesë afër 100 botues nga hapësira shqiptare.

“Kjo është mundësi që Republika e Kosovës të afirmohet si vend i pasur i kulturës dhe i librit”, tha Bici.

Ndërkaq, Qëndrim Gashi, duke folur në emër të presidentes Jahjaga, shprehu urimet më të përzemërta për punën e panairit dhe promovimit të librit dhe të lexuarit.

“Leximi është fondament jo vetëm për pasurinë shpirtërore por edhe një komunikimi të qartë e të efektshëm që i shërben zhvillimit të çdo vendi”, tha Gashi.

Shkrimtari Agim Gjakova, theksoi se për katër ditë panairi bëhet shtëpi e shkrimtarëve dhe lexueseve, që ofron mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejt midis tyre.

“Libri është i pazëvendësueshëm. Leximi jep kënaqësi të pazëvendësueshme duke u bërë si drogë, ndërsa droga turbullon shpirtin dhe errëson mendjen, libri kthjellon shpirtin dhe pastron mendjen”, tha Gjakova.

Ndërkaq, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptar, tha se dita e sotme është gëzim i veçantë.

Duke folur për Express, Ymeri tha se nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila ka rreth dyzetë anëtarë, kanë ardhur mbi pesëmbëdhjetë shtëpi botuese.

“Deri më sot janë rreth 15 por ka mundësi që edhe nesër të vijë ndonjë tjetër, sepse kishim një lloj ngatërrese rreth datës”, tha Ymeri.

Lidhur me ndarjen e botuesve në nga dy grupe, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, Ymeri tha se nuk është gjë e mirë. “Mendoj se këto gjëra duhet të zgjidhen miqësisht, profesionalisht. Personalisht nuk më pëlqejnë këto shkëputje”, tha ai. Ndërsa, lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes në panairin tjetër që është paralajmëruar se do të mbahet në qershor, Ymeri tha se “e para e punës nuk jam i sigurt a do të mbahet panairi tjetër mbas një muaji.

Pasi ta dimë se a do të mbahet atëherë do të diskutojmë a do të vijmë apo jo. Por, në qoftë se do të mbahet aktiviteti pa dyshim se do të vijmë. Ne nuk jemi për të përcaktuar se cili aktivitet është më i rëndësishëm e cili më i parëndësishëm. Ne vijmë për respekt të kolegëve tanë, vijmë edhe për respekt të lexuesit të Prishtinës, për respekt të librit dhe për respekt reciprok që kemi për njëri tjetrin”.

E sa i përket organizimit të dy panaireve edhe në Tiranë, pasi që edhe atje ekzistojnë dy shoqata të botuesve, Ymeri tha se gjithçka bën vaki, por nuk e beson se edhe në Tiranë do të mbahen dy panaire.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›