E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e Jakupit

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar që fletarrestimi ndaj Fatmir Limajt të tërhiqet, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Krasniqi thotë se deputeti ka imunitet që të mos arrestohet, por jo edhe që të mos hetohet. Ndërkaq, EULEX’i ende nuk e ka të qartë çështjen e imunitetit të Limajt. Nga Express më 22 mars 2011 në ora 10:29

Zyrtarët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë përsëritur të hënën se çështja për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj është ende duke u diskutuar.
Në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarët e këtij misioni nga Zyra për informim, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se “çështja e imunitetit ende është duke u qartësuar”.

Megjithatë, në deklaratën e EULEX’it thuhet se, “çështja e imunitetit nuk e ndalon ndjekjen penale si dhe hetimet, të cilat janë duke vazhduar”, thuhet në deklaratën me shkrim të EULEX’it.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendi të Kosovë, Jakup Krasniqi, ka thënë se prokurorët e EULEX’it, duhet ta tërheqin fletarrestimin për deputetin Limaj, pasi që, sipas tij, ai fletarrestim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Realisht, fletarrestimi duhet të tërhiqet, se ai bie në kundërshtim edhe me Kushtetutën, edhe me ligjet. Ndërsa, sa i takon imunitetit, deputeti ka imunitet që të mos arrestohet dhe të ndalet, po deputeti nuk ka imunitet për t’u zhvilluar procedurë hetimore ndaj tij”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe avokati mbrojtës i deputeti Limaj, Tomë Gashi, ka thënë se tashmë vetë ky mision e ka kuptuar se ka lëshuar një fletarrestim në mënyrë joligjore.

Gashi ka thënë se konsideron që ky rast, më së miri do të zgjidhej sikur EULEX’i ta tërhiqte fletarrestimin.

“Juridikisht besoj që çështja më së miri zgjidhet nëse EULEX’i e tërheq fletarrestimin dhe pastaj, procedura vazhdon në mënyrë normale. Imuniteti i deputeti Limaj nuk parandalon EULEX’in dhe asnjë mision tjetër të zbatuesve të ligjit që të hetojë rastin, të cilin e kanë hapur të themi ashtu, por e parandalon arrestimin dhe ndaljen e tij”, ka vlerësuar Gashi.

Avokati Gashi ka shprehur mendimin se misioni i EULEX’it nuk do të rrijë në një vend rreth kësaj çështjeje, por, sipas tij, ata duhet t’i respektojnë edhe ligjet e vendit.
“Nëse tërhiqet fletarrestimi, i cili është ende aktual, atëherë edhe nëse ndodh ndonjë akuzë pas përfundimit të hetimeve, detyrimisht Kuvendi i Kosovës do të vendosë lidhur me imunitetin e zotit Limaj. Por, deri atëherë, nuk do të ketë kurrfarë arsyeje ligjore që të merren me këtë çështje juridike”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka thënë se çështja e imuniteti të deputetit Limaj nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës dhe as që do të shkojë, pasi që, sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë ashtu siç e ka paramenduar dikush nga zyrtarët e EULEX’it.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka shprehur gatishmërinë e tij që ta dorëzojë imunitetin, në mënyrë që t’i shërbejë drejtësisë.

Limaj një deklaratë të tillë e ka dhënë një ditë pasi që ndaj tij dhe disa ish-pjesëtarëve të UÇK’së, EULEX’i kishte lëshuar fletarrestime nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në fshatin Kleçkë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Shtetit javën e kaluar ka vlerësuar se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale, për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›