E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të zbresë nga mali i gënjeshtrave”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar vëmendjen e qeverisë për minatorët, të cilët janë futur në ditën e dhjetë të grevës së urisë. Gjatë një konference për shtyp kreu i PS-së i ka drejtuar një apel kreut të qeverisë, duke i kërkuar që të nisë dialogun me minatorët për të plotësuar kërkesa e tyre. “Dua t’i bëj një apel kryeministrit të Shqipërisë, që të zbresë nga mali i gënjeshtrave me të cilat po i ushqen përditë shqiptarët dhe të hapë dialogun me këtë grup shoqëror të persekutuar tash 17 vjet prej politikave të dështuara, që në kohën e qeverisjes së tij po shkaktojnë vdekje seriale në miniera. Është koha që Sali Berisha të kuptojë se kjo pjesë e mbetur e mandatit të tij të dështuar është kapitulli më i rrezikshëm i degradimit të një qeverisjeje të papërgjegjshme”, - është shprehur Rama. Ai kërkoi që maxhoranca të miratojë kërkesën e opozitës për rritjen deri në 10 mijë lekë të rinj të pensionit të minatorëve. “Është koha që kryeministri të tërhiqet nga qëndrimi refuzues për projektligjin tonë, duke korrigjuar në sallën e Kuvendit mëkatin e përfaqësuesve të tij në Komisionin e Ekonomisë dhe duke e miratuar rritjen e pensionit të minatorëve si hapin e parë drejt ndryshimit të një situate, ku korrupsioni po bën kërdinë e ku qeveria e Sali Berishës nuk mund të bëjë asgjë duke qenë e lidhur drejtpërdrejt me interesat e atyre që sot quhen nga minatorët mafia e minierave të Shqipërisë”, - është shprehur Rama. Më tej kreu i PS-së shprehu solidaritetin e tij dhe të mbarë socialistëve për grupin e minatorëve, të cilët, sipas Ramës, janë pishtarë të dikurshëm të demokracisë.
“Shpreh në emër të Partisë Socialiste dhe të shumicës së shqiptarëve se përfaqësojmë ndjenjën më të sinqertë të solidaritetit me minatorët e të gjithë Shqipërisë dhe njëkohësisht indinjatën tonë për shpërdorimin 17-vjeçar të pasurive minerare të vendit, që me qeverisjen e kryeministrit Berisha ka arritur pikën më kritike.
Përpjekja jonë për të kaluar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj shumë të arsyeshëm, i cili e zbuste disi situatën tejet të rëndë të minatorëve dhe të familjeve të tyre, u zmbraps në Komisionin e Ekonomisë, me “jo”-në idioteske të një shumice parlamentare, të verbër, të shurdhër e krejtësisht të paaftë, për t’i kuptuar problemet e vendit dhe hallet e njerëzve”, - është shprehur Rama, ndërsa ka bërë të ditur se pensioni i minatorëve është vetëm 67 mijë lekë të vjetër në muaj.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›