Topi takon ambasadorin e Greqisë: “Pres që Papulias të vizitojë Tiranën”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e ri të Republikës së Greqisë në vendin tonë, Nikolas Pazios, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Në këtë takim presidenti Topi vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë dhe po ecin në mënyrë progresive mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe shprehu besimin në zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Duke i uruar ambasadorit Pazios suksese në përmbushjen e misionit diplomatik në vendin tonë, presidenti Topi i ka transmetuar atij përshëndetjet më të mira e miqësore për presidentin e Greqisë, Papulias, me dëshirën për t’u takuar së afërmi në Tiranë. Në vijim të bisedës, kryetari i shtetit u ndal në disa prej arritjeve thelbësore të vendit tonë në rrugën e tij të integrimit në strukturat euroatlantike, duke nënvizuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO si vlerësim ndaj reformave në vend dhe përgjegjësi ndaj përballjes së sfidave të përbashkëta. Në këtë drejtim, presidenti Topi vlerësoi dhe mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për vendit tonë për integrimin në BE-së dhe në NATO duke u shprehur se shpreson në një ratifikim sa më të shpejtë të MSA-së nga Parlamenti grek. Nga ana e tij, ambasadori Pazios siguroi se do të përmbushë me përkushtim detyrën e tij në Shqipëri, në shërbim të thellimit të bashkëpunimit të frytshëm dypalësh mes dy vendeve.
Bujar Leskaj fton deputetët të marrin pjesë në marshimin e çamëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, gjatë fjalës së mbajtur dje në seancën parlamentare, ka ftuar kolegët e tij deputetë, të majtë dhe të djathtë, që të marrin pjesë sot në marshimin e popullsisë çame në qytetin e Vlorës. Gjatë fjalës së tij Leskaj u shpreh se çështja çame është e fundit çështje e rajonit të Ballkanit që duhet të gjejë patjetër zgjidhje. “Nëse është një ditë e shënuar, pasi përkujtohet gjenocidi grek ndaj popullsisë çame. Unë jam për një zgjidhje të çështjes çame si problemi më i fundit në rajon. Çështja çame duhet të gjejë zgjidhje duke u bazuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Popullsia shqiptare çame me nënshtetësi greke duhet të kthehet në tokat e tyre”, - është shprehur Leskaj. Sipas tij, kjo çështje duhet të zgjidhet në bazë të Traktatit të Miqësisë së mirë të ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve. Në nenin 15 të këtij traktati është përcaktuar detyrimi që kanë dy shtetet për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. “Doja t’ju bëja ftesë që të merrni pjesë në marshimin kulturor, paqësor, sensibilizues që komuniteti çam do të zhvillojë në Vlorë. Komuniteti çam pret sa më shumë deputetë të majtë dhe të djathtë për të mbështetur kërkesat e tyre të drejta”, - është shprehur Leskaj në përfundim të fjalës së tij.
27 Qershor 2008