Fillon Premierliga

Fytyrat e njohura të Sir Alex Fergusonit dhe Arsene Wengerit janë ende aty, ndërsa trajner të ri si Andre Villas-Boas kanë hyrë në skenën e Premierligës angleze. Një gjë është e sigurt, prej sot e deri më 13 maj do të ketë ndeshje të mira, gola dhe shumë tema për të cilat do të diskutohet.
Por, kush do të dalë triumfues? Për pesë sezonet e fundit, trofeu i Premierligës përfundoi në Stamford Bridge ose Old Trafford, por kësaj radhe edhe Liverpool e Manchester City ia kanë vërë syrin titullit pas shpenzimit të parave të mëdha në angazhimin e përforcimeve gjatë verës.
Kampioni në fuqi
Ka pasur gëzim dhe dhimbje si dhe ardhje të reja e lamtumira në Old Trafford, pas përfundimit të sezonit të kaluar.
Festa e titullit rekord të 19-të në ligë u zbeh paksa pas humbjes bindëse nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve, ndeshje e cila shënoi përfundimin e karrierave të portierit Edwin van nder Sar dhe mesfushorit Paul Scholes. Një tjetër shërbëtor i gjatë i klubit, Gary Neville u pensionua më herët gjatë sezonit, por Ferguson duket se ka sjellë zëvendësues kualitativë.
Të rinjtë e talentuar, David de Gea, Phil Jones dhe Ashley Young kanë ardhur në klub, ndërsa vazhdojnë të qarkullojnë spekulime rreth një tjetër blerjeje me emër. Sezonin e kaluar, Manchester United humbi vetëm dy pikë në shtëpi, por ata do të duhet të përmirësojnë formën e tyre në udhëtim, në mënyrë që të dalin sërish në krye.
Megjithatë, rikthimi i tyre sensacional kundër Manchester Cityt në Community Shield të dielën sugjeroi se ata prapë janë ekipi favorit për titull në Premierligë.
Konkurrentët
Kërcënimi më i madh për Manchester Unitedin duket se vjen nga ekipi që Ferguson njëherë e quajti “komshinjtë e zhurmshëm”.
Mirëpo, Manchester City kishte arsye të krijon rrëmujë në maj të vitit të kaluar, kur fituan titullin e tyre të parë pas 35 viteve, duke triumfuar në FA Cup.
Të përkrahur nga pronarë të pasur dhe vetëbesimi i madh, ata janë përmirësuar edhe më tepër duke transferuar sulmuesin Sergio Aguero dhe janë në pritje të ardhjes së mesfushorit Samir Nasri nga Arsenali. Ekipi i Roberto Mancinit po ashtu duhet të përballet me paraqitjen debutuese në Ligën e Kampionëve, por grupi i gjerë i futbollistëve nënkupton se ata mund të paraqesin konkurrencë në të gjitha frontet. Në ditën e fundit të sezonit të kaluar, Carlo Ancelotti u shkarkua si menaxher i Chelseas dhe u zëvendësua nga Villas-Boas, i cili përcolli rrugëtimin e Jose Mourinhos duke ardhur në Stamford Bridge nga Porto.
33-vjeçari ka trashëguar një ekip të kontrasteve, me përvojë si John Terry, Frank Lampard dhe Didier Drogba si dhe të rinjve Josh McEachran, Daniel Sturridge dhe Romelu Lukaku që pritet të thonë fjalën e tyre.
Autsajderët
Kenny Dalglish është përkrahur në treg nga pronarët amerikanë të Liverpoolit duke shpenzuar më tepër se 100 milionë funte në kërkim të rikthimit në elitën e futbollit anglez.
Këtë verë, skocezi transferoi reprezentuesit anglez, Jordan Henderson dhe Stewart Downing së bashku me ish-kapitenin e Blackpoolit Charlie Adam dhe mbrojtësin e majtë të Newcastles, Jose Enrique.
Përveç tyre, në janar klubit iu bashkuan dyshja sulmuese Andy Carroll dhe Luis Suarez. Statusi i Arsenalit si konkurrent për titull në Premierligë mori goditje të dyfishtë të enjten, kur menaxheri Arsene Wenger konfirmoi largimin e Cesc Fabregasit në Barcelonë dhe Samir Nasrit në City.
Wenger ka premtuar se paratë nga shitja do t’i shpenzojë në përforcime të reja, por ai është i vetëdijshëm se kanë kaluar gjashtë vite që klubi nuk ka fituar asnjë titull dhe tifozët kanë filluar të humbin durimin.
Përforcimet e tjera
Përveç përforcimeve të angazhuara nga katër skuadrat e para që kanë bërë lajmet kryesore, Sunderland është klubi që operoi më së miri në afatin kalimtar.
Ish-mbrojtësit e Manchester Unitedit, Wes Brown dhe John O’Shea do të shërbejnë kualitet në vijën e mbrojtjes, treshja e mesfushorëve Seb Larsson, Craig Gardner dhe David Vaughan kanë përvojë në Premierligë, ndërsa te Connor Wickham, i transferuar për 9 milionë funte nga Ipswitch Town, ata kanë një reprezentues të ardhshëm të Anglisë.
Menaxheri i ri i Aston Villës, Alex McLeish ka transferuar portierin Shay Given dhe mesfushorin Charles N’Zogbia pas largimit të Brad Friedelit, Youngut dhe Downingut.
Transferimi i sulmuesit të Republikës së Irlandës, Shane Long nga Reading mund të dalë i qëlluar nga West Bromwich Albion, ndërsa ish-reprezentuesi anglez, Kieron Dyer dhe Jonathan Woodgate kanë rastet e fundit në Queens Park Rangers dhe Stoke City, derisa hyjnë në fazën veterane të karrierave të tyre të përshkuara nga lëndimet.