Kreu marrëdhënie me të mitura, të dënohet 8 vite burg
06/05/2005 TIRANË – Lulzim Haxhiu, në verën e vitit 2004, akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur. Është e moshës 14 vjeçe. Prokurori Armand Gurakuqi kërkoi dje para gjyqtarit Martin Deda, dënimin e të pandehurit me 8 vite burg, pasi e deklaroi fajtor për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur. Sipas akuzës, i pandehuri e ka gënjyer vajzën, duke e tërhequr në shtëpinë e tij. Ai është i moshës 30-vjeçare dhe njihet si një maniak seksual. Pasi e ka futur në shtëpi, i pandehuri ka filluar të ngacmojë vajzën e mitur. Më pas, ai ka kryer marrëdhënie, duke e porositur vajzën të mos tregonte në familje. E mitura disa kohë e ka mbajtur të fshehur këtë vepër. Por një ditë ajo arrin t'ia tregojë nënës së vet të gjithë ngjarjen. E shoqëruar nga prindërit, vajza bën kallëzim në polici. Menjëherë të pandehurit i vihen prangat. Para gjykatës nuk e ka pranuar akuzën. Është mbrojtur me tezën se asnjëherë nuk ka patur ndërmend të ngacmojë vajza të vogla, duke e quajtur veprën e ngritur ndaj tij një kurth të familjes së të dëmtuarës.