Skëndo në gjyq për trafikim fëmijësh
06/05/2005 TIRANË – Erjol Skëndo, akuzuar dhe deklaruar fajtor për krimin e vjedhjes me dhunë në shtëpinë e një gjyqtari sarandiot, tashmë është rikthyer përsëri në gjyq. Këtë radhë, Prokuroria e Sarandës ka deleguar një dosje në Tiranë, në emër të 20-vjeçarit, me një akuzë të re. Ka mbi shpinë veprën penale të trafikimit të fëmijëve dhe do të gjykohet nga Krimet e Rënda. Dje ishte seanca e parë kundër tij. Erdhi nga spitali, atje ku me vendim gjykate vazhdon të mjekohet për shkak të sëmundjes së tij psikike. Gjatë gjithë kohës shihej qartë sëmundja e tij. Fliste me vete. Por arriti të deklarojë se Prokuroria është duke bërë një krim të madh me të, duke i fabrikuar disa akuza të pambështetura në prova. Prokurori Behar Dibra lexoi kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit. Akuzohet se në korrik të vitit 2003 ka marrë një vajzë në moshën 14-vjeçare, duke e gënjyer se do të martohej me të, pasi i pëlqente shumë. Në këtë muaj, i pandehuri, tha prokurori, sapo ishte kthyer nga Greqia. Shkon në shtëpinë e shtetases Hatixhe Zhupa për dasmë dhe atje njeh mbesën e saj, Ermirën, që i pëlqen shumë. Disa ditë pas dasmës, i pandehuri, tha akuza, ka vajtur në shtëpinë e vajzës, por prindërit nuk i ka takuar. Fillimisht vajza e ka refuzuar, por me këmbënguljen e Erjolit, ajo pranon të shkojë me të. Hipën në makinën e drejtuar nga Erjoli. Makina ka qenë pronë e shtetasit Agim Buxheli, i cili do të thirret edhe si dëshmitar. Vajza është detyruar të qëndrojë në sediljen e pasme të makinës. Megjithëse nuk ka dashur, është detyruar të bindet. Ajo ka thënë se do të martohej me të dhe nuk kishte pse të qëndronte në sediljen e pasme. Erjoli i ka dhënë një varëse floriri për t'i mbushur mendjen, më pas ka marrë në telefon disa djem për t'i lajmëruar. Por në dosje, tha prokurori, nuk ka asnjë emër personi të identifikuar si bashkëpunëtor.