Servet Kulla, gjykatësi në Itali, do dëgjoj dëshmitë e prostitutave

06/05/2005 TIRANË – Më në fund i jepet drejtim procesit të dy tutorëve, akuzuar se në bashkëpunim dhe me dy vajza të pandehura kanë shfrytëzuar e më pas therur Servete Kullën. Gjyqtari që drejton procesin gjyqësor kundër të pandehurve Kujtim Dani dhe Genci Hysa, do të udhëtojë drejt Italisë për të marrë pjesë në seancën e pyetjes së dëshmitarëve. Janë 40 dëshmitarë, të cilët do të merren në pyetje nga një trup gjykues në Itali. Por i pranishëm në këtë seancë do të jetë edhe gjyqtari Brahimllari. Dje gjyqtari është pajisur me vizë nga ambasada italiane dhe fillimin e javës që vjen do të jetë në sallën e gjyqit. Vajtja e Gurali Brahimllarit në Itali është e domosdoshme, pasi ai do të paraqesë atje edhe pretendimet e avokatëve mbrojtës si dhe të përfaqësuesit të akuzës. Drejt shtetit italian është nisur një letërporosi. Nëpërmjet kësaj letre, të dërguar nga Ministria jonë e Drejtësisë, kërkohet marrja në pyetje e 40 prostitutave, të cilat kanë punuar së bashku me Servete Kullën, tashmë e vdekur. Deri dje nuk kishte ardhur asnjë përgjigje për këtë letërporosi, ç’ka ka bërë që procesi të zvarritej pa masë. Nga ana tjetër, dy të pandehurit Genci Hysa dhe Kujtim Xhaferri (Dani) nuk kanë pranuar të japin shpjegime. Ata thanë se do të shpjegojnë pozicionin e tyre në lidhje me akuzat për vrasje, vetëm atëherë kur të kenë përfunduar të gjitha provat e Prokurorisë. Pra, pyetja e 40 dëshmitarëve në Itali është kërkuar nga akuza. Në bankën e të akuzuarve ndodhen të pandehurit e mësipërm, ndërsa gjykohen në mungesë dy motrat, Mirjeta dhe Teuta Lika nga Durrësi. Servete Kulla nga një fshat i Durrësit u gjet e vrarë në fillim të vitit 2001. Ajo ishte e martuar me të pandehurin Genci Hysa dhe punonte si prostitutë në periferi të Xhenovës. Trupi i Servetes u gjend i therur dhe hedhur në një kazan plehrash. Nga të dyja palët janë paraqitur në gjykatë provat kryesore, por pengesë tashmë janë bërë marrja e dëshmive nga Italia. Disa prej dëshmitareve që do të pyeten, kanë punuar me Serveten dhe kanë dëgjuar bisedat e saj me bashkëshortin, njëkohësisht edhe të tutorit natën e fundit të jetës së saj.