E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, sa do të rriten nga shtesa e re në maj 2009



Jonida Tashi

Përfituesit e pensionit të pleqërisë vitin e ardhshëm pritet të marrin më shumë lekë nga shteti për punën e kryer në vite. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re. Sipas tyre, rritja e re e pensioneve që do të zbatohet në muajin maj të vitit të ardhshëm, parashikohet që ti shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Megjithëse është ende herët për të folur për masat ekzakte të rritjeve që do t’u bëhen pensioneve, mësohet se kjo është rritja më e madhe që i është bërë këtyre pagesave gjatë viteve. Premtimi për rritjen e pensioneve vitin e ardhshëm është bërë nga kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili pak kohë më parë deklaroi se pensionistët do të përfitojnë në maj të vitit 2009 një rritje prej 10 për qind për pensionet e qytetit dhe 20 për qind për ata të fshatit.
Llogaritja
Në rritjen e re të pensioneve parashikohet që të përfshihen pensionistë që marrin pension pleqërie, familjar dhe invaliditeti, si në qytet ashtu dhe në fshat. Sipas skemës së re të rritjes, për vitin e ardhshëm pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 951 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 12226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por, këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe si pasojë të ardhurat mujore kapin nivelin e 21433 lekësh. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët.
Kompensimet
Specialistët e ISSH-së sqarojnë se të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2008 do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Sipas kësaj skeme rritjeje, do të procedohet edhe për pensionet e fshatit. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 20 për qind. Kjo shifër e përkthyer në vlerë monetare do të thotë një rritje prej 1040 lekësh në muaj, duke filluar nga muaji maj i vitit të ardhshëm. Kështu, pas kësaj rritjeje pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 6240 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 6240 lekë në 7130 lekë në muaj.
Rritjet
Në krahasim me rritjet e aplikuara gjatë këtyre viteve, pensionet e qytetit do të rriten më shumë. Ky hap është marrë për të minimizuar efektet negative nga rritja e çmimeve. Pothuajse në çdo muaj korrik, qeveria ka aplikuar skemën e rritjes së pagave dhe pensioneve, por vetëm vitin e ardhshëm kjo datë do të ndryshojë dhe është vendosur që të bëhet në muajin maj. Rritja e pensioneve përveç shtimit të të ardhurave personale të vetë pensionistëve, ka si qëllim që t’i jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t’u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara. Sipas specialistëve të pensioneve, këto rritje kanë si qëllim që ta bëjnë sa më tërheqëse skemën e sigurimeve shoqërore si dhe të shtojnë sa më shumë të ardhurat mujore të pensionistëve. Mendohet që edhe gjatë vitit të ardhshëm të preken nga kjo rritje të paktën rreth 800 mijë familje në të gjithë vendin. Kjo është rritja e dytë e pensioneve që bëhet publike gjatë këtij viti, por është me efekt nga viti i ardhshëm, ndërsa e para i filloi efektet financiare që nga 1 korriku. Për këtë vit janë rritur me 15 për qind pensionet në fshat dhe 10 për qind pensionet në qytet. Aktualisht, pensioni i plotë minimal i pleqërisë është 9515 lekë në muaj. Ndërkohë që pensioni maksimal në qytet kapërcen dyfishin e pensionit bazë, pra jo më shumë se 19030 në muaj.

Skema e re
Pavarësisht këtyre rritjeve që po i bëhen pensioneve, së shpejti vendi ynë do të përfshihet nga reforma në sistemin e pensioneve. Ky sistem është i ndarë në tri kolona. Kolona e parë është ajo shtetërore, e dyta e ndërmjetme, ndërsa e treta private. Specialistët e ISSH-së shpjegojnë se nëpërmjet kolonës së parë kryesisht garantohet mbrojtja e të moshuarve nga varfëria. Sipas tyre, kjo kolonë duhet të jetë e detyrueshme dhe nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit. Kolona e dytë, mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo kolonë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizmin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga shtylla e parë. Ndërsa kolona e tretë, e cila është tërësisht private do të bazohet mbi kapitalizmin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve. Tri kolonat e sistemit të ri janë një lloj sigurimi privat i detyrueshëm. Kolona e parë është ajo aktualja, e dyta është sigurimi privat, por i detyrueshëm dhe e treta është sigurimi privat vullnetar. Në kolonën e parë është shteti që garanton vazhdimësinë e pagesës së një pensioni minimal për gjithë jetën e pensionistit. Në shtyllën e dytë paratë që paguhen për sigurimin, do të investohen nga privati dhe do të kthejnë një normë më të lartë fitimi, pra një pension më të madh. Në kolonën e tretë, sigurimi është vullnetar. Pra, të punësuarit, ose jo, mund të derdhin para që t’i marrin më vonë në formën e pensionit, kundrejt një norme fitimi të përcaktuar.

Rritja e re sipas kategorive:

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë
Bëhet
10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë
Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë
Bëhet
20933 leke + 350 + 150 = 21433 lekë
Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte
5200 + 200 + 690 = 6090 lekë
Bëhet
6240 + 200 + 690 = 7139 lekë

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›