E Diel, 1 Nëntor 2026

Tmerr nga atentatet, dy të vrarë brenda 24 orësh në Shkodër dhe Mirditë



SHKODËR/MIRDITË – 24 orët e fundit kanë rikthyer frikshëm atentatet mafioze, ku kanë mbetur të vdekur dy persona. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në rrethet e Shkodrës dhe Mirditës. Në të dyja rastet, krimet janë kryer në rrethana misterioze dhe autorët kanë mundur që ti shpëtojnë policisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23.30 ka gjetur vdekjen në një pritë të organizuar në fshatin Shirq të komunës së Dajçit shtetasi Enver Hysenaj. Ndërsa dje pasdite raportohet se është vrarë me armë zjarri në fshatin Spaç, të komunës së Oroshit shtetasi Fatmir Pjetri. Dyshimet e para janë hedhur për një hakmarrje të mundshme, por ende nuk janë zbardhur motivet e këtij krimi.
Vrasje mafioze
Mbrëmjen e së premtes, Enver Hysenaj, pasi ka pirë një kafe me miqtë e tij në një lokal është nisur drejt shtëpisë së tij në fshatin Shirq të komunës së Dajçit. Por, pikërisht kur i kishin mbetur edhe 2 kilometra, ai është përballur me një pritë, e cila ka qenë fatale për të. Ndërsa ndodhej në makinën e tij tip benz ML, me targa të huaja, KHA 5859, është përballur me një breshëri plumbash kallashnikovi, të cilat i kanë marrë jetën në vend. Hetimet e para hedhin dyshime se autori mund të ketë ndjekur lëvizjet e viktimës dhe ka qenë i sigurt për kohën kur ai do të kthehej në banesë. Para vrasjes, viktima kishte qëndruar në një lokal të fshatit dhe prej aty ishte larguar pak pas mesnatës, por nuk ka mbërritur dot në shtëpi. “Nuk ka ende persona të dyshuar dhe as ndonjë motiv për ngjarjen e ndodhur”- thanë burimet e policisë, duke shtuar se vijojnë hetimet për zbardhjen e krimit.
Hakmarrje?
Pa kaluar as 24 orë nga krimi i ndodhur në Shkodër, një tjetër vrasje në rrethana misterioze ndodhi në Mirditë. Disa persona kanë qëlluar ndaj 18-vjeçarit Fatmir Pjetri, duke e lënë të vdekur në vend. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje pasdite në fshatin Spaç të komunës së Oroshit të rrethit të Mirditës. Sipas tyre, 18 vjeçari Pjetri është qëlluar për vdekje me armë zjarri teksa po kulloste bagëtinë bashkë me një moshatarin e tij. Shkak i këtij atentati mendohet të jetë motivi i hakmarrjes midis familjes së viktimës dhe atentatorëve, të cilët janë larguar në drejtim të paditur pas kryerjes së krimit. Policia nuk bën të ditur emrat e autorëve për shkak të hetimeve të mëtejshme, ndërsa ka ngritur postblloqe të shumtë në të gjitha akset kryesore të cilët lidhen me fshatin Spaç. Viktima ndodhet ende në vendin e ngjarjes për shkak te hetimeve, ndërsa policia ka marrë masa për ruajtjen e familjes për të mos ndodhur ndonjë vrasje tjetër. Dy rastet e fundit kanë shtuar ndjeshëm numrin e viktimave të shkaktuar nga atentatet që kanë ndodhur në vend gjatë kohëve të fundit.

Heroina e bllokuar në port, me destinacion Zvicrën

Policia kishte marrë informacion më parë për trafikun e drogës

DURRËS – Trafikanti nga Kosova që u kap me një sasi heroine në Portin e Durrësit, dyshohet se po e transportonte mallin drejt Zvicrës. Gjatë 24 orëve të fundit një grup hetimor po merret me çështjen, ku po shqyrtohet edhe ekzistenca e një linje trafiku ndërkombëtar pas ndalimit të shtetasit Sead Qerolli nga Kosova. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje janë bërë verifikimet e të dhënave për 30-vjeçarin Qerolli.
“Pas peshimit, sasia e drogës rezultoi të ishte 5 kilogramë, e ndarë në pako të mbështjella me natriban, nga gjysmë kilogrami secila. I arrestuari ndodhet në dhomat e paraburgimit të policisë së Durrësit”- thanë burimet e policisë. Droga u kap mbrëmjen e së premtes, në tentativë për tu transportuar në drejtim të Italisë. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se droga u bllokua në serbatorin e një makine, që ishte në pronësi të shtetasit kosovar Sead Qerolli. “Droga u zbulua gjatë një kontrolli që po i bëhej makinës në port dhe menjëherë u bllokua, ndërsa poseduesi i saj u ndalua”- kanë njoftuar burimet e policisë, duke shtuar se automjeti tip Opel Vectra ishte me targa zvicre BE 577508. Automjeti është bllokuar nga policia në hyrje të terminalit të portit të Durrësit. Makina u vendos në pikën e kontrollit në sheshin e trageteve. Mësohet se që më parë, policia kishte marrë të dhëna në rrugë operative se në automjetin e 30 vjeçarit Qerolli transportohej droge.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›