E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muja dhe Rytel në Berlinale

“Berlinale”, që njihet si njëri nga festivalet me të mëdha të filmit në botë, sivjet shënon 60 vjetorin. Është data 11 shkurt kur këtij festivali do t’i hapen dyert. Në ketë përvjetor të rëndësishëm, përveç filmave nga e mbarë bota prezantohet edhe filmi ‘Unplay’ që është i realizuar nga artisti kosovar Alban Muja në bashkëpunim me artisten suedeze Joanna Rytel dhe produksionin e filmit “Filmform”. Ky film që është një version i ri i filmit të shkurtë ‘Play girl’, që deri me tani është prezantuar në shumë ekspozita dhe festivale, do të jete në konkurrencë për filmin më të mirë të shkurtë.

E për Mujën ky duhet të jetë një sukses i madh posaçërisht kur mendohet se filmi është realizuar me një buxhet krejtësisht të vogël. “Po normal pjesëmarrja në Berlinale me një film që thuajse s’ka kushtuar asgjë ka qenë më se e mirëseardhur për neve dhe kjo në njëfarë mënyre është edhe një shtytje plus që mund të punohet edhe pa mjete materiale dhe mund të arrihen suksese”, tha Muja për Express.

Versioni ‘Unplay’, i gjatë gjashtë minuta, do të ketë premierën në Berlinale me datën 13 shkurt, dy ditë pasi do të bëhet edhe hapja ceremoniale e këtij festivali, ku përveç kësaj premiere do të shfaqet edhe katër herë gjatë 10 ditëve të festivalit të njohur të filmit. ‘Unplay’ flet për një marrëdhënie seksuale mes një vajze dhe dy djemve (shokëve) sikurse edhe konsekuencat pas këtij akti.

Nga artistët nuk është menduar të sillet ndonjë thyerje e tabusë apo është menduar e kundërta, sjellja e një realiteti para audiencës. ‘Unplay’ do të thotë jo lojë maqo meshkujve përballë gjinisë tjetër, femrës. Edhe pse sipas artistëve në shoqëri, të gjithë pak a shumë jemi të shtyrë të luajmë me gjininë apo të besojmë në të. Me konceptin e tyre artistik në ‘Unplay”, autorët mendojnë që çdo njeri pa marrë parasysh gjininë duhet të luajë edhe feminizmin apo edhe maskulizmin, e jo maqon.

Në konkurrence për filmin më të mirë të ‘Berlinale Shorts’ apo në konkurrence për “Ariun e Artë” janë zgjedhur 25 filma nga 15 vende të ndryshme nga gjithsesi 2600 filma sa kishin konkurruar për këtë kategori. Përveç regjisë të artistëve, atij kosovar Muja dhe suedezes Rytel, janë edhe aktorë në projektin e tyre.
Ndërsa përveç tyre në filmin, i cili është realizuar në Tiranë, luan edhe aktivisti shqiptar Rubin Beqo. Anëtarët e Jurisë Ndërkombëtare të këtij viti të filmit të shkurtër janë drejtori i festivalit dhe producenti brazilian Zita Carvalhosa, autori dhe kryeredaktor i Spex Max Dax dhe regjisori i njohur polak, Xawery Żuławksi. Ceremonia ‘Berlinale Shorts’ do të mbahet në CinemaxX 3 më 16 shkurt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›