E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon shpërndarja e 2000 laboratorëve virtualë në shkolla

Filloi dje zbatimi i fazës së parë të shpërndarjes së 2000 laboratorëve virtualë me vlerë afro 1 milion euro në shkollat e arsimit parauniversitar. Në çdo shkollë do të dërgohet një set pajisjesh elektronike, i përbërë nga: 1 Lap-top, 1 video-projektor dhe një CD multimediale, e cila ka në përmbajtje të saj programe dixhitale, me module mësimore elektronike të lëndëve të ndryshme, të cilët mësuesit do t‘i përdorin në procesin e mësimdhënies. Lëndët fillestare në CD-të e para janë Matematika, Fizika dhe Kimia. Në oborrin e shkollës "Sabaudin Gabrani" u krye shpërndarja e pajisjeve elektronike nga Përparim Shera, drejtor i Informacionit dhe Statistikës në MASH. Ai tha se nga ky projekt do të pajisen 1081 shkolla, sipas një plani shpërndarjeje, i cili shtrihet në të gjitha njësitë vendore në vend. "Shpërndarja e seteve është kryer sipas disa kritereve të paracaktuara nga numri i klasave dhe nxënësve në shkolla. Shkollat do të pajisen me deri në 6 sete laboratorësh virtualë, të cilat do të përfshijnë pajisjet e mësipërme. Ka filluar shpërndarja në qytetin e Tiranës, e cila do të pajiset me 360 laboratorë virtualë, si dhe të DAR Durrës, përfshirë edhe zonat rurale", deklaroi në nisjen e këtij procesi drejtori i Informacionit dhe Statistikës në MASH. Sipas Sherës, paralelisht me këtë proces po realizohet nga Instituti i Kurrikulës e Standardeve edhe trajnimi i mësuesve mbi përdorimin e laboratorëve virtualë. "Deri më sot, nga ky institut janë trajnuar mbi 700 mësues në Tiranë dhe rrethe të tjera", konfirmoi drejtori Shera. Pajisja e shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm me laboratorë virtualë është një nga aktivitetet kryesore të premtuara për t‘u zbatuar nga Ministria e Arsimit, në lidhje me përfshirjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit në arsim. Një iniciativë kjo e ndërmarrë gjatë kohës kur në krye të këtij dikasteri ministër ishte Genc Pollo, në kuadër të projektit "cilësi dhe barazi në arsim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›