E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Bano, dëshmitar për Aldo Baren

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të thërrasë si dëshmitar në procesin e bandës së Aldo Bares, deputetin e PD-së, Ilir Bano. Pritet të dërgohet fletëthirrja për deputetin Bano, i cili do të dëshmojë lidhur me atë çka diskutuar me të pandehurin Ilir Stërgu në vitin 1998, në "komisariatin" e Aldo Bares. Në seancën e djeshme gjyqësore, dëshmitari Pëllumb Meçe, vëllai i Viktor Meçes, i cili kishte konflikt me bandën e Lushnjës për tenderin e pastrimit të qytetit, ka deklaruar se është marrë forcërisht nga disa anëtarë të bandës. Më pas është shoqëruar te "zyra" e bandës së Lushnjës. Në këtë ambient ai ka parë Ylli Setën, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Lushnjës dhe Ilir Banon, deputet në Kuvendin e Shqipërisë. "Kam dëgjuar se Ilir Stërgu u kërkonte dy të pranishmëve se pse nuk flisnin mirë për bandën. Më pas anëtari i bandës së Lushnjës i tha se banda është sjellë mirë dhe gjatë krijimit të ‘komisariatit‘ në qytet nuk ka pasur ngjarje të rënda. Asnjë vajze nuk është marrë për t‘u trafikuar", mësohet se ka deklaruar dëshmitari Pëllumb Meçe.

Fletëthirrja

Pas dëshmisë së Meçes, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të thërrasë si dëshmitar në proces deputetin e PD-së, Ilir Bano. Kërkesa për thirrjen e Banos u bë nga avokati i të pandehurit Ilir Stërgu, Vladimir Meçe. Qytetari tha se kishte dëgjuar që Stërgu i kërkonte deputetit t‘i nxirrte në gazeta dhe televizione se ishin mbrojtësit e rendit dhe qetësisë në Lushnjë, gjatë trazirave të vitit 1997. Trupi gjykues mori parasysh kërkesat e palës mbrojtëse që Bano të dalë të dëshmojë në gjyq. Gjykata pritet të dërgojë fletëthirrjen për deputetin Bano, i cili do të dëshmojë lidhur me atë çfarë ka diskutuar me Stërgun. Të pandehur në këtë proces janë: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Agur Musaku, Erion Cici, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të kryera vite më parë në Lushnjë, mes tyre edhe vrasje, në kuadër të organizatës kriminale. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të vitit të kaluar, por për një vit me radhë gjykata ka shtyrë seancat për arsye të mungesës së avokatëve, si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tri vitet e fundit nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.

Dëshmitë e tjera

Në seancën e djeshme, janë thirrur si dëshmitarë edhe disa persona të tjerë që kanë pasur dijeni rreth krimeve të bandës së Lushnjës. Njëri prej tyre, Virgjil Karaj, tha se është marrë forcërisht nga anëtarët e bandës dhe është torturuar. Sipas tyre, anëtarët e bandës kërkonin nipin e tij, Klodian Haxhinë, dhe për këtë arsye kanë terrorizuar disa herë familjen e tij. Madje dëshmitari tha se anëtarët e bandës së Lushnjës i kanë vënë flakën edhe shtëpisë së vëllait të tij, Shkëlqim Haxhia. Radha për dëshmi u ka takuar disa të afërmve të një personi që është ekzekutuar në Lushnjë. Ata thanë se nuk kishin dijeni për ngjarjen e rëndë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›