Rama: Edhe ujësjellësit, peng i politikës së vjetër
Kryebashkiaku Rama ka drekuar dje me familjen e Sadat Bekteshit, një familje qytetare e ardhur në kryeqytet nga Tepelena dhjetë vjet më parë dhe e vendosur në zonën e "Komunës së Parisit", në Njësinë Bashkiake Nr.5. Në një bisedë të zhvilluar mes tyre, familjarët kanë diskutuar mbi çështje të ndryshme, por si më shqetësuesja për ta ka qenë problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë zonën. Kryebashkiaku Rama, në lidhje me këtë problem, u shpreh se "kjo zonë ka probleme me ujin, sepse nuk janë bërë investime në ujësjellës, për t‘iu përgjigjur gjithë këtij zgjerimi që ka zona dhe këtu nuk është problemi thjesht i atyre ndërtimeve që janë në administrim të bashkisë, por të gjitha ndërtimeve lart në kodër, që nuk janë ndërtime me autorizim të bashkisë, por me autorizimin e komunave". Ato japin autorizime për ndërtim dhe pastaj të gjithë qytetarët kërkojnë ujin nga kryeqyteti, ka sqaruar Rama. Sipas tij, problemi është që nuk ka pasur investime të rëndësishme në ujësjellës dhe për fat të keq, megjithëse Kushtetuta dhe ligji e kanë përcaktuar që ujësjellësit administrohen nga bashkitë dhe megjithëse është normale që qytetarët t‘ia kërkojnë këtë shërbim bashkisë, "ky institucion sot e gjithë ditën nuk e ka në dorë këtë kompetencë dhe nuk mundet dot as të administrojë sistemin, as të bëjë investime dhe as të mbajë përgjegjësi para qytetarëve", ka theksuar Rama. Ai ka shtuar se kjo vjen për shkak të prapambetjes e interesave politike. Ndërsa ka kujtuar se janë qytetarët ata që mbeten peng dhe trajtohen si top pingpongu midis institucioneve, e ka kush e ka. Shërbimi nuk vjen sepse nuk është në dorën e atij që duhet ta japë me Kushtetutë e me ligj, se "ta jep ligji, po s‘ta jep Maliqi", ka ironizuar Rama. Ndërsa nuk ka munguar që të numërojë mbrapsht deri ditën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ku pritet të vihen përballë elektoratit të gjitha forcat politike. "Edhe 149 ditë do bëjmë durim dhe gjithçka do bëhet më mirë, edhe për ujin", ka përfunduar Rama.