Fillon “tmeri” për emigrantët
17/12/2004 Ndërsa në autobusin e "tmerrit" udhëtarët kalonin orë të pafund ankthi, mediat eklektronike greke, ende pa patur asnjë konfirmim nga autoritete policore, kishin njoftuar se të dy pengmarrësit, ndoshta mund të ishin shqiptarë. Pavarësisht se në rastin në fjalë hamendjet e tyre u vërtetuan, mund të kishte ndodhur edhe e kundërta, si në shumë raste të tjera, kur hamendjet e tyre kanë dalë të gabuara dhe keqbërësit kishin qenë grekë (në të shumtën e rasteve apo edhe të ndonjë kombësie tjetër, në raste të tjera). Edhe para dy ditësh, ende pa u sqaruar identiteti i rrëmbyesve të autobusit, dyshimi, madje, deri në bindje, ra mbi shqiptarët. Këto lloj "hamendjesh", sollën si rezulatat, vetëm pak orë pas ishte mësuar lajmi, mbushjen e rrugëve të Athinës me fletushka të "Frontit Grek" (një parti ultranacionaliste), ku nga njëra anë shkruhej: "Kur të rritem, Greqia do të ketë 3.5 milionë të huaj. Ndaloheni të ndodhë.", ndërsa nga ana tjetër shkruhej "Për një Greqi greke dhe jo multikulturore, voto Maki Voridhi. Voto Frontin Grek", së bashku me statistika krimesh. Paralelisht, një marshim proteste, kundër të huajve që ndodhen në Greqi dhe kryesisht kundër shqiptarëve, zhvilluan në qendër të Athinës anëtarë të organizatës naziste "Hrisi Avgji". Sipas mediave greke, të cilat i referoheshin burimeve policore, protesta në të cilën merrnin pjesë rreth 25 veta, filloi nga sheshi "Klafthmonos" dhe vazhdoi drejt sheshit "Kolokotroni". Por edhe në vendngjarje, kur qytetarë të ndryshëm grekë vunë re se kishte arritur Tahir Mici, kryetar i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Greqi, filluan të shanin me fjalë nga më të ndyrat. Madje, gazeta "Eleftherotipia", theksonte se ishin dëgjuar edhe shprehje të natyrës "Do t'u vrasim të gjithëve" etj. Nga ana e tij, Mici ka deklaruar po në të njëjtën gazetë se kur kishte dëgjuar një nga pengmarrësit të fliste në një stacion radiofonik, nga aksenti e kishte kuptuar se ai 99% ishte shqipatar dhe prandaj kishte shkuar menjëherë në vendngjarje për të kontribuar sadopak në negociatat. Madje, ai kishte shprehur dëshirën të hynte në autobus, por policia nuk e kishte lejuar. Duke e quajtur një veprim idiotesk nga mendje të sëmura, Mici shprehu edhe frikën se ndoshta "do të pasojë periudhë e vështirë, ku ne shqiptarët do të quhemi përsëri 'delet e zeza' dhe do të akuzohemi si kriminelë". E natyrisht, kjo frikë e shprehur nga Mici, nuk është produkt i një hamendjeje, por i një realiteti që shqiptarët e kanë përjetuar me dhjetëra herë. Në shumë raste, një krim i kryer nga shqiptarët fryhej, shumëfishohej dhe në ekranet e televizioneve shfaqeshin me dhjetëra persona, madje, midis tyre edhe intelektualë, të cilët as më shumë e as më pak i konsideronin shqiptarët si kriminelë të lindur dhe se duhej të largoheshin një orë e më parë nga Greqia. Gjithë ky tension kalonte edhe te njerëzit e thjeshtë, të cilët reagonin në mënyra nga më të ndryshmet. Sjellim një rast si shembull. Gjatë kohës që në afërsi të Follorinës, në vitin 1999, pothuajse po përfundonte lirimi i pengjeve në autobusin e rrëmbyer nga shqiptari Arben Sufa, një qytetar grek, Andreas Kalivas, 51-vjeçar, rrëmbeu pushkën dhe ndaloi një autobus me targa shqiptare, që udhëtonte në linjën Kakavijë-Athinë, në afërsi të Mesolongjit. Pasi ndalon autobusin, ai kërcënon të gjithë shqiptarët që udhëtonin, duke i detyruar të zbrisnin nga autobusi, ndërsa thëriste: "Zbrisni të gjithë ndyrësira". Të gjithë u larguan të tmerruar në fushat rreth e rrotull. Pasi e çoi autobusin në rajonin e policisë së Mesolongjit, ai deklaroi para prokurorit: "Kaq shumë kanë bërë shqiptarët në Greqi, sa shikoni si e kanë katandisur". Policia njoftoi për një person me probleme psikike. Por fryma shqiptare u shfaq në Greqi edhe në një moment, kur askush nuk kishte bërë ndonjë krim apo mëkat, por thjesht se ekipi ynë kombëtar mundi atë grek. E të gjithë ata që sulmuan shqiptarët dhe as ai që vrau Gramoz Palushin, nuk ishin me probleme psikologjike.