E Diel, 1 Nëntor 2026

“Motra na tha se do na vrisnin”

17/12/2004  Dy pengmarrësit shqiptarë të autobusit në Athinë, kanë marrë masën e ndalimit arrest me burg pa afat nga gjykata. Çështja do të shqyrtohet nga Krimet e Rënda, ndërkohë që dje është zhvilluar edhe seanca gjyqësore në ngarkim të tyre. Leonard Murati dhe Njazi Resuli kanë pranuar akuzën e pengmarrjes, ndërkohë që nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me qëllimin dhe mënyrën e organizmit të kapjes së autobusit. Nga dëshmia e tyre shumë fragmentare mësohet se veprimi i tyre mund të ketë qenë më shumë një trill aventuresk dhe me pasoja të rënda sesa një akt i përgatitur me qëllime më të largëta. Ndoshta psikologët do ta quajnë adoleshencë të vonuar. Tani që ngjarja ka marrë formë të plotë, dy pengmarrësit shqiptarë të autobusit në Athinë, nuk dinë të justifikojnë veprimin e tyre. Në dëshminë dhënë gjykatësit, ata theksojnë se gjithçka ka nisur vetëm për para. E tillë, si një shaka e madhe duket edhe akuza e fundit e bërë nga gjykatësi. Përveç rrëmbim personi apo vënie në rrezik të jetës së të tjerëve, mbi shqiptarët rëndon edhe akuza e bllokimit të trafikut.

Dëshmia

Hetuesi: E dini çfarë keni bërë?

Pengmarrësit: Po e dimë.

Hetuesi: Po pasojat e kësaj?

Pengmarrësit: Po i dimë.

Hetuesi: Po pse e bëtë?

Pengmarrësit: Kishim nevojë për para.

Hetuesi: E konsideruat këtë gjë të lehtë.

Pengmarrësit: Po, përderisa e kanë bërë të tjerët.

Hetuesi: Fatin e të tjerëve e dini?

Pengmarrësit: Jo.

Hetuesi: Kanë vdekur, janë vrarë. Jeni me fat që nuk u qëlluat.

Pengmarrësit: Po e dimë, na mori motra dhë vëllai në telefon dhe na thanë se do na vrisnin, në qoftë se nuk do të lironim pengjet dhe nuk do të dorëzoheshim.

Hetuesi: Si do të iknit me para?

Pengmarrësit: Do të iknim me tren ose autobus. Thamë në fillim me avion, por duket se u ngatërruam dhe policia nuk na kuptoi mirë.

Hetuesi: Si do të kalonit në pikat kufitare të Shqipërisë?

Pengmarrësit: Atje do të kalonim lehtë do të na prisnin si triumfatorë dhe nuk do të na fusnin në burg.

Hetusi: Çfarë keni për të shtuar?

Pengmarrësit: Kërkojmë falje pengjeve, familjeve të tyre dhe gjithë popullit grek.

Vëllai

Përveç motrës, në negociata me pengmarrësit ka marrë pjesë edhe vëllai i Njaziut. Ai pohoi se ka qenë ndër njerëzit që ka bashkëpunuar me policinë greke. “Vëllai im është ndaluar nga policia së bashku me shokun e vet. Aktin e tyre, le të gjykojë drejtësia. Si vëllai edhe shoku i tij rrinin bashkë dhe punonin bojaxhinj. Ne, si vëllezër, sapo morëm lajmin jemi ndodhur në vendin e ngjarjes dhe kemi negociuar me ta, duke ndihmuar edhe policinë greke për të gjitha të dhënat, me qëllim që të mos derdhej gjak”. I pyetur për motivet, ai nuk ishte në gjendje për t’i shpjeguar ato.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›