Seancë e posaçme për ndarjen zonale
17/12/2004 Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë një seancë të posaçme për votimin e Kodit të ri Zgjedhor. Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, theksoi dje se, më 23 dhe 24 dhjetor, deputetët do të diskutojnë propozimet e bëra nga Komisioni Bipartizan. Ndërsa po në këto seanca do të diskutohet dhe ndarja e re elektorale e paraqitur në Kuvend prej komisionit të posaçëm, që ka punuar pranë KQZ-së. Sipas kreut të Kuvendit, të dy draftet do të kalojnë në seancë me procedurë të përshpejtuar. Sipas rregullores, në rast se ndarja e re elektorale nuk do të miratohet, i kthehet dhe një herë për shqyrtim komisionit të posaçëm. Në këtë rast vetëm pas 30 ditësh Kuvendi mund t'i rikthehet diskutimeve. Kjo vë në dyshim miratimin e projektligjit, pasi, sipas Kushtetutës, nuk mund të ketë ndryshim të ndarjes elektorale në 6 muajt e fundit të mandatit të Kuvendit.