E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupet parlamentare me 7 deputetë

17/12/2004  PD dhe PS kanë vendosur që të rrisin numrin minimal, që duhet për të krijuar një grup parlamentar. Me 73 vota pro, 12 kundër dhe 1 abstenim, u vendos që nga 5 deputetë, grupet do të kenë 7 të tillë. Kjo ka sjellë debate të ashpra me partitë parlamentare, të cilësuara të vogla. Madje, ata nuk ngurruan ta cilësojnë vendimin antikushtetues. Sipas Fatmir Mediut, ndryshimi në fjalë është bërë në minutat e fundit, pasi OSBE-ja ka rekomanduar që numri i deputetëve që formojnë një grup parlamentar të mos ndryshojë, por të qëndrojë në pesë. Por, deputeti i PD-së, Fatos Beja, tha se rekomandimi ka qenë dhe për rritjen e numrit në shtatë, si dhe të shtimit të një pike, që garanton pavarësinë e Grupeve parlamentare. Gjithashtu, deputetët kanë vendosur rritjen e masës së penalitetit për deputetët që shkelin etikën parlamentare. Kryetari i Kuvendit, sipas vendimit të dhënë dje, ka të drejtë t'i mbajë nga një ditë deri në 15 ditë pagën deputetëve.

Grupet

"Për krijimin e një Grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar i vetëm një Grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga Grupi parlamentar, mund t'i bashkohet një grupi tjetër vetëm pas gjashtë muajsh nga data e largimit", thuhet në vendimin e marrë dje. Në këtë mënyrë është lejuar sërish dhënia boorxh e deputetëve nga partitë e mëdha drejt aleatëve të vegjël. Por, këta të fundit u shprehën se rritja e numrit minimal kërkon që të shtohet presioni dhe varësia ndaj partive të mëdha. Kjo ka qenë arsyeja pse 12 deputetët e partive të vogla të djathta, të cilave u bashkua dhe Vangjel Dule, kanë votuar kundër rregullores së re të Kuvendit. Ndërsa socialdemokratët dhe deputetët e LSI-së nuk kanë marrë pjesë në votimin e nenit përkatës. Megjithatë, sipas kryetarit të Kuvendit, ky përcaktim do të hyjë në fuqi vetëm në parlamentin e ardhshëm, që pritet të nisë punën në muajin shtator ose tetor 2005. Ndaj, kryeparlamentari Pëllumbi tha se ata që nuk janë dakord me vendimin, mund të paraqesin një tjetër amendament për ta ndryshuar.

Penalitetet

"Masa disiplinore e thjeshtë ka të bëjë me ndalimin e pagës së deputetit, duke filluar nga një ditë deri në 15 ditë", thuhet në nenin 64 të rregullores së Kuvendit. Në këtë mënyrë, deputetët, që do të tentojnë të prishin qetësinë në sallë, apo provokojnë skena, që prishin mbarëvajtjen e punës së seancës, do të përballen me masa ndëshkimore. Fillimisht Kryetari i Kuvendit bën vërejtje me gojë ndaj deputetit, ose deputetëve që thyejnë etikën. Në rast se veprimi vazhdon, atëherë bëhet vërejtje me shkrim dhe publikisht deklarohet masa ndëshkimore, pasi të jetë ndërprerë seanca. Me rifillimin e punës së Kuvendit deklarohet dhe ndëshkimi.

Kuvendi me 8 komisione

Kuvendi i Shqipërisë nuk do të ketë më 13 komisione të përhershme, por vetëm 8. Ndryshe nga sa ishte rekomanduar nga ekspertët, deputetët vendosën në seancë që nga 7 komisione, Kuvendi të funksionojë me tetë të tillë. Kjo pasi është kërkuar që Komisioni i Punëve të Jashtme të mos ketë në funksion të tij dhe integrimin. Kështu që komisioni i posaçëm për integrimin tashmë do të kthehet në një komision të përhershëm. Vendimi për reduktimin e numrit të komisioneve do të sjellë ndryshimin dhe të përbërjes së tyre. Kështu, në fillimin e sesionit të ardhshëm parlamentar, do të ketë dhe një rizgjedhje të kryetarëve të tyre. Megjithatë, rregullorja e funksionimit të brendshëm të Kuvendit të Shqipërisë nuk është votuar me konsensusin e të gjitha forcave politike, ashtu si dhe ishte kërkuar prej Bashkimit Evropian. Partitë e vogla kanë deklaruar dje se PS-ja dhe PD-ja kanë përdorur forcën e kartonit për të minimizuar fuqinë politike që kanë forcat e vogla në parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›