E Diel, 1 Nëntor 2026

deklaratat e politikanëve

17/12/2004  Ligoraq Karamelo

Kryetari i Partisë të Drejtave të Njeriut, Ligoraq Karamelo, tha dje se "incidenti i ndodhur me dy shqiptarët do të ndikojë në marrëdhëniet me emigrantët shqiptarë që janë pa dokumente në Greqi. Marrëveshja e ripranimit me Greqinë, që pritet të nënshkruhet mes të dy vendeve do të jetë një tjetër pikë kyçe, ku do të tentohet në penalizimin e emigrantëve shqiptarë që janë pa dokumente të rregullta. Incidenti ishte sporadik, por gjithsesi veprimi i tyre mund të penalizojë shumicën e shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në këtë vend.

Besnik Mustafaj

Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD, Besnik Mustafaj, tha se "opozita mbi aktin e kryer nga dy shqiptarë shpreh besimin se gjykatat greke do të veprojnë në përputhje me ligjin. Shprehim bindjen tonë se qeveria greke do të veprojë në përputhje me ligjet greke dhe ato evropiane, të cilat janë të standardeve ndërkombëtare dhe parashikojnë ndëshkim individual për njerëzit e inkriminuar, duke përjashtuar çdo mundësi që ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi të veprojë ndonjë operacion spastrimi nga ato që shqipatrët kanë njohur në të kaluarën e afërme në Greqi". Sipas demokratëve, përgjegjësia në këtë rast është individuale.

Ministria e Jashtme (AL)

Ministria e Punëve të Jashtme, "shpreh keqardhjen e saj për ngjarjen e rrëmbimit të një autobusi në periferi të Athinës nga dy shtetas shqiptarë, emigrantë në Greqi dhe dënon natyrën kriminale të këtij veprimi që, fatmirësisht, përfundoi pa pasoja. Shqipëria është e bindur se akte të tilla nuk identifikojnë qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në Greqi, duke dhënë kontributin e tyre në shoqërinë greke dhe në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. MPJ beson se kjo ngjarje nuk do të cënojë frymën e mirëkuptimit, miqësisë".

Jorgos Vulgarakis

Në orën dy të mëngjesit të ditës së djeshme, ministri i Rendit Publik grek, Jorgos Vulgarakis, në paraqitjen para shtypit, pasi falënderoi të fgjitha foracat policore për aksionin e suksesshëm, falënderoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin Karamanlis për mbështetjenn e dhënë dhe kujdesin e veçantë me të cilin ndoqi të gjithë çështjen. Vulgarakis i kërkoi popullit grek që të respektojë të huajt dhe të mos ndikohet aspak nga incidenti, duke ju bërë thirrje ndjenjave mikëpritëse që e karakterizojnë popullin grek. "Dëshiroj të theksoj se jemi një shoqëri e hapur dhe përparimtare, e cila nuk bën dallime", ka përfunduar ai.

Ilir Zela

Kryetari i Komisionit parlamentar për Politikat me Jashtë, Ilir Zela, ka dënuar aktin e dy ditëve më parë, ku dy shqiptarë kanë marrë peng një autobus në periferi të Athinës. Zela tha se "akte të tilla janë të dënueshme, por nuk duhet t'i jepen ngjyra etnike kësaj çështjeje". Gjithashtu ai u ka bërë thirrje të gjithë emigrantëve tanë që të tregohen më të kujdesshëm për shkak të imazhit të rënduar të Shqipërisë në botë. Ndërsa është shprehur se ky ishte një incident personal, që nuk ka të bëjë me të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›