E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejtësia i merr jetën një 20-vjeçari, plagoset shoku i tij

Aksidenti automobilistik ndodhi pas përplasjes së makinës me një betoniere
TIRANË- Një 20-vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi automjeti që drejtohej prej tij u përplas me një betoniere. Aksidenti rrugor ndodhi paraditen e djeshme, në zonën e quajtur "Oxhaku" në Tiranë, kur një makinë tip BMW me targa gjermane është përplasur me një betoniere dhe për pasojë mbeti i vdekur në vend drejtuesi i mjetit, Andi Cami 20-vjeç, ndërsa u plagos shoku i tij. Mësohet se Cami po udhëtonte me automjetin e tij kur është përballur me betonieren. Sipas policisë, automjeti që drejtohej nga 20-vjeçari po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara. I riu nuk ka mundur të manovrojë në kohë, për t'i shpëtuar përplasjes me betonieren. Përplasja ka qenë tepër e fortë për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën po lëvizte mjeti, gjë e cila shkaktoi vdekjen e menjëhershme të Andi Camit dhe plagosi rëndë shokun e tij. Kalimtarët e rastit bënë të mundur transportimin e menjëhershëm për në spital të të plagosurit dhe mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia rrugore mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti. Policia ka mbajtur të rrethuar për disa orë rrugën ku ndodhi aksidenti, duke devijuar dhe kalimin e makinave. Burime nga policia thanë se janë marrë në pyetje dëshmitarët, ndërsa kanë bërë dhe këqyrjen e provave. Të njëjtat burime shtuan se nga hetimet e para dyshohet se 20-vjeçari Cami po udhëtonte me shpejtësi të madhe dhe ka humbur kontrollin. Megjithatë ende nuk kanë përfunduar hetimet që do të përcaktojnë shkakun e vërtetë të këtij aksidenti që i mori jetën një të riu dhe rrezikoi jetën e një tjetri në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›