Vetëvrasja, prej pasionit të kthyer në dështim
Dy ditë pas hedhjes së piktorit nga tarraca, sqarohet shkaku. E shoqja ia jepte fshehur ilaçet, por nuk shmangu vetëvrasjen
Fqinjët: Ishte stresuar pasi nuk gjente dot një punë. Familjen e mbanin e shoqja dhe djemtë
TIRANË- Piktura ishte pasioni i tij, që me t'u kthyer në biznes u kthye në dështim. Ishte i vetmi pjesëtar i familjes që nuk punonte, ndaj edhe nuk mund ta përballonte gjatë faktin se e shoqja dhe fëmijët ishin të detyruar të mbanin shtëpinë. Fqinjët e Ylli Skënderajt përmendin këto arsye për vetëvrasjen e dy netëve më parë në qendër të Tiranës. Në fakt, Ylli Skënderajprej disa kohësh nuk mund ta fshihte më gjendjen e tij të stresuar, që i shkaktohej dita-ditësnga dështimi i dyqanit të pikturave që kishte hapur dhe mbyllur.Megjithëse bashkëshortja e tij kishte mundur të kapte në kohë sëmundjen e depresionit që kishte mbërthyer 50-vjeçarin, duke i dhënë edhe ilaçe fshehurazi, kjo duket se nuk e ka ulur dozën e dëshpërimit tek piktori, duke e shtyrë atë drejt vetëflijimit.
***
Ylli Skënderaj vdiq dy net më parë, pasi u hodh nga tarraca e pallati ku banonte, pranë "Shallvareve" në Tiranë. Rreth orës 21:00 të së hënës, 50-vjeçari ka rënë për të fjetur bashkë me të shoqen. Sapo është siguruar se këtë të fundit e ka zënë gjumi, piktori ka dalë nga banesa dhe është ngjitur në tarracë. Është hedhur nga tarraca, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Të parët që konstatuan burrin pa jetë në oborrin e pallatit, lajmëruan policinë. Efektivat e policisë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e hedhjes së Skënderajt. Efektivat blu janë ngjitur në katin e pestë ku banonte viktima dhe kanë zgjuar nga gjumi gruan e tij, së cilës i kanë dhënë edhe lajmin e kobshëm. Policia mësoi nga familja e të ndjerit, se shkaku i vetëfiljimit ishte depresioni në të cilën ndodhej piktori. "Ylli hapi një dyqan për të shitur pikturat e tij, ishte shumë i talentuar. Mirëpo pikturat nuk po shiteshin dhe ai u detyruar të mbyllte dyqanin. E ndërsa dy djemtë e tij të moshës 19 dhe 18-vjeçare punonin edhe gruaja e tij ishte angazhuar me punë, vetëm Ylli nuk kishte mundur të gjente një punë",- tregoi për "Shekullin' një fqinj i piktorit.
***
"Fakti që ishte i vetmi në familje që nuk punonte dhe mbahej prej gruas e kishin stresuar së tepërmi, Yllin dhe kohët e fundit ai kishte shfaqur shenja depresioni. Për këtë sëmundje, gruaja e tij kishte marrë ilaçe dhe ia jepte fshehurazi. Por edhe kura nuk ka bërë efekt, pasi ai e kreu vetëvrasjen", -shtoi me tej fqinji. Mësohet se sapo kishte mësuar çrregullimet e sjelljes së Skënderajt, gruaja e tij i kishte sugjeruar atij të vizitohej gjë e cila ishte kundërshtuar nga piktori. Në këto kushte ajo kishte mundur të siguronte ilaçe për të kuruar burrin e saj, për ta shpëtuar nga ndonjë marrëzi që do t'i kushtonte atij jetën. E megjithatë, e keqja nuk u shmang.