Ruli: Çmimi i energjisë, rritja mbi 15%
Biznesi deklaron se ekonomia shqiptare është prekur nga fenomeni i shpërdorimit të parave në kredidhënie
Konfindustria: Bankat fshehin informacionin për kreditë
Regjistri i kredive i vënë në përdorim të sistemit bankar që prej fillimit të këtij viti, ofron tashmë ndihmesë të madhe në vendimmarrjen e drejtë në procesin e kreditimit nga ana e sistemit bankar. Krijimi i këtij regjistri të rëndësishëm informacioni është mbështetur edhe nga biznesi, që mbetet klienti kryesor i bankave. Konfindustria ka bërë të ditur se mbështet krijimin e Regjistrit të Kredive nga Banka e Shqipërisë, por sipas këtij grupimi biznesi konstatohet se fenomeni i shtrimit të kredive të këqija është në rritje. "Ekonomia reale shqiptare tashmë ka mjaft shenja se është e prekur nga fenomeni shumë i dëmshëm i shpërdorimit të parave të shqiptareve në procesin e kredidhënies, duke u investuar në sektorë ekonomike jo rentabël dhe të shmangies në mënyrë të sforcuar të fenomenit të falimentimit të operatorëve të ndryshëm të biznesit, si mjet i rëndësishëm i vetërregullimit të ekonomisë së tregut dhe krijimit kështu të fenomenit shkatërrues të nxitjes së konkurrencës së pandershme ndërmjet bizneseve, me pasoja të rënda për gjithë zhvillimin afatgjatë të vendit", - ka bërë të ditur dje, me anë të një deklarate, Konfindustria. Sipas administratorit të Konfindustrias, Buxhuku, gjendja është edhe më shqetësuese nëse kihet parasysh se kriza e tregjeve financiare dhe bankare, që ka përfshirë botën, fare lehtë mund të përcillet në Shqipëri, në kushtet e mungesave të të dhënave për vlerësimin e drejtë të kredidhënies. "Regjistri i Kredive, në rast se funksionon do të jetë një mundësi e mirë për të rritur efektivitetin e përdorimit të parave të shqiptarëve, efektivitet që deri sot paraqitet në cilësi ende të pakënaqshme, rritjen e informacionit për menaxhimin me profesionalizëm të dhënies së kredive dhe njëkohësisht për shmangien e fenomenit të korrupsionit në administrimin e bankave të nivelit të dytë gjatë kredidhënies.
"Shpallja e falimentit për bizneset që fshihen pas borxheve kërkon një ligj të ri dhe eksperiencë në gjykata"
Ministri i Ekonomisë ka sqaruar se KESH-it i nevojitet një rritje çmimi mbi 15 pwrqind
"Zgjidhja e vetme në kushtet e emergjencës mbetet investime në TEC-e me naftë që, njëkohësisht, më vonë të mundet të prodhojnë energji edhe me gaz. Një alternim i tillë mund t'i lejojë vendit që në rast të përfshirjes në rrjetin e gazit, të ketë mundësi të prodhojë me kosto më të lirë energjinë. Padyshim që prodhimi i energjisë me naftë është tepër i kushtueshëm dhe një zgjidhje më afatgjatë në këtë drejtim dhe më pak e kushtueshme, është ndërtimi i TEC-ve me qymyr të pastër, por kjo kërkon një kohë më të gjatë.
Rritja mesatare e çmimit të energjisë elektrike në muajin shkurt do të jetë minimalisht me 15 për qind. Deklarata ka ardhur nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, kur pritet vetëm pak ditë që të publikohet vendimi i marrë nga Enti Rregullator i Energjisë. "Rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2008 duhet të jetë minimalisht 15 për qind, ndërsa për këtë nivel është ende duke u diskutuar nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Çmimi i energjisë nuk do të rritet për shtresat sociale me të ardhura të ulëta, që kanë edhe një nivel të ulët konsumi. Edhe për kategorinë "biznes" do të ketë një shterëzim sipas disa kritereve",- ka sqaruar ministri Ruli. Por çmimi i ri energjisë që do të rritet gjatë muajit shkurt, duket se do duhet që t'i nënshtrohet një analize të re pas privatizimit të Sektorit të Shpërndarjes së Energjisë që parashikohet të realizohet nga qeveria brenda këtij viti. "Nëse Sektori i Shpërndarjes të Energjisë në KESH do të privatizohet gjatë këtij viti, atëherë ERE do të duhet që të ulet dhe të bëjë një analizë të çmimeve, pasi ky biznes do të operojë në bazë të rregullave të tregut dhe çmimi pas këtij transaksioni duhet të bazohet në analiza specifike",- ka sqaruar Ruli.
TEC-et me naftë, zgjidhja emergjente
Përsa i përket burimeve të reja të energjisë elektrike, për të cilat duhet që të investohet, ministri Ruli gjatë një interviste në "Neës 24" ka bërë të ditur se zgjidhja e vetme për momentin, që mund ta nxjerrë vendin nga kjo situatë e vështirë mbeten TEC-et me naftë. "Zgjidhja e vetme në kushtet e emergjencës, mbetet investimi në TEC-e me naftë që njëkohësisht më vonë të mundet që të prodhojnë energji edhe me gaz. Një alternim i tillë mund t'i lejojë vendit që në rast të përfshirjes në rrjetin e gazit, të ketë mundësi të prodhojë me kosto më të lirë energjinë. Padyshim që prodhimi i energjisë me naftë është tepër i kushtueshëm dhe një zgjidhje më afatgjatë në këtë drejtim dhe më pak e kushtueshme është ndërtimi i TEC-ve me qymyr të pastër, por kjo kërkon një kohë më të gjatë",- tha Ruli. Ministri i Ekonomisë nuk ka përjashtuar mundësinë edhe të ndërtimit të një Centrali Bërthamor në Shqipëri. "Ne e kemi shpallur strategjinë tonë si një vend pro energjisë nukleare, ndërsa kompanitë që mund të realizojnë këtë projekt kanë shfaqur interes. Por për të arritur në finalizimin e këtij projekti, do të duhet që të realizohet një kuadër i plotë ligjor dhe një ENT për të kontrolluar këtë sipërmarrje",- ka sqaruar Ruli.
Falimentimi, proces që duhet filluar
Ministri Ruli ka sqaruar gjatë intervistës së tij se në vend vazhdon që të mungojë një proces i rëndësishëm, që është i shëndetshëm për ekonominë, falimentimi i biznesit. "Shkëmbimi mall më mall i një sërë biznesesh, fsheh në realitet disa kompani brenda këtyre transaksioneve që në të vërtetë kanë falimentuar. Duhet që të jenë palët e treta, bankat dhe organet tatimore që të kërkojnë të parët, që për këto kompani të nisë një proces falimentimi. Një kërkesë e tillë duhet që të jetë mëse ligjore, pasi në këtë mënyrë një pjesë e borxheve të këtyre bizneseve do të mund që të kthehet",- tha Ruli. Kreu i Ministrisë së Ekonomisë ka sqaruar se, nga ana tjetër edhe ligji dhe gjykatat shqiptare mbeten të papërgatitura për këtë proces, që duhet të kishte filluar që në kohën që një pjesë e bizneseve vazhdojnë që në bilanc të dalin për 2-3 vjet me humbje.