Filmi “Gjallë” në Festivalin Ndërkombëtar në Palm Spring
Filmi “Gjallë” (Alive), i regjisorit Artan Minarolli, përveçse pjesëmarrës në festivalin e Filmit në Clevelend të SHBA-së është zgjedhur që të jetë pjesë e seksionit të filmit të huaj në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Palm Spring, Los Anxhelos. Vetë regjisori Artan Minarolli është ftuar të marrë pjesë në shfaqjen e filmit të tij më 16 dhe 17 janar 2010, si dhe në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve. Festivali i Filmit në Palm Spring, që do të mbahet nga data 7 deri në 18 janar, ka një reputacion të fortë në botën e kinemasë dhe shërben si një trampolinë për të kaluar në industrinë filmike, duke shënuar kështu arritje të suksesshme në shitjen dhe në distribucionin e filmave të rinj dhe në promovimin e kineastëve. Ky festival është i njohur edhe si paradhoma e edicionit të 82 të çmimit Oskar për vitin 2010, pasi siç dihet “Alive” përfaqëson Shqipërinë në këtë konkurrim. Ndërkohë filmi “Gjallë” është pranuar në programin e “Europian Film Market” në festivalin e Berlinit. Deri tani filmi “Alive” nën regjin e Artan Minarollit ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare dhe është vlerësuar me disa çmime.
11 Dhjetor 2009