E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova përgatitet për raundin e dytë të zgjedhjeve



Në prag të mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nuk do të lejojë përsëritjen e parregullsive që kanë ndodhur në rrethin e parë të votimeve. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta tha se përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të 13 dhjetorit, kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe ato premtojnë për një proces të rregullt zgjedhor. “Ne jemi të përkushtuar dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar komune të jenë të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare”,- u shpreh Lushta. Janë 21 komuna të Kosovës nga gjithsej 36, në të cilat të dielën qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimeve për të zgjedhur kryetarin e komunës. Balotazhi do të zhvillohet në të gjitha qendrat ku në rrethin e parë të votimeve më 15 nëntor, asnjëri nga kandidatët nuk arriti të marrë më shumë se 50 përqindëshin e votave. Në garën e së dielës do të jenë nga dy kandidatë që pretendojnë të marrin pushtetin në komunat përkatëse. Nga qendrat e mëdha, balotazhi do të zhvillohet në Prizren, Mitrovicë, Gjilan e Pejë, ku edhe gara është më e fortë. Partia Demokratike e Kosovës prin për nga numri i kandidatëve që garojnë në zgjedhjet e së dielës, pasuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicioni AKR-LDD. Janë, po ashtu, edhe dy kandidatë nga subjektet politike serbe për komunën e Shtërpcës dhe atë të Novobërdës. Fushata parazgjedhore ka hyrë në ditët e fundit të saj dhe deri tani ajo ka kaluar pa incidente.

KFOR-i në Kosovë paralajmëron reduktim të trupave

Komandanti suprem i NATO-s për Europën, admirali Xhejms Stavridis konfirmoi në Prishtinë se nga janari i vitit të ardhshëm, numri i paqeruajtësve të KFOR-it do të zvogëlohet në 10 mijë, apo rreth 4 mijë ushtarë më pak se sa janë aktualisht. Ai tha se përmirësimi i situatës së sigurisë i ka mundësuar Aleancës të reduktojë praninë e saj në Kosovë, ndërsa përjashtoi mundësinë që ky zvogëlim i paqeruajtësve të NATO-s të bëhet për shkak të angazhimit të më shumë trupave në misionin e Aleancës Veri atlantike në Afganistan. Admirali Stavridis gjatë vizitës në Prishtinë theksoi se NATO mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe policinë të sigurojë një të ardhshme të ndritshme të vendit. Ai tha se nuk shihte ndonjë grup apo organizatë që do të mund të rrezikonte qëndrueshmërinë e Kosovës.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›