E Diel, 1 Nëntor 2026

Milto Kutali, me “Romancë Dashurie” sjell realitetin në familjen shqiptare

Mesazhi i veprës, për familjen duhet të kontribuojmë që të gjithë që ta mbrojmë me çdo çmim.

Izaura Ndoj
Regjisori Milto Kutali, këtë fundjavë do ti sjell emocione publikut kryeqytetas. Ai do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar, premierën e komedisë italiane “Romancë Dashurie”. Pjesa e cila mban firmën e Aldo De Benedetit, sjell një kaskë aktorësh, ku në rolet kryesore janë Roland Trebicka, Bujar Asqeriu dhe Anila Bisha dhe asistent regjisorja Luljeta Hoxha e sapo diplomuar për regjisurë, do të ketë një rol në vepër. Muzika vjen nga Albana Petrela. Projekti “Romancë Dashurie” vjen si një projekt i përbashkët i Teatrit Kombëtar dhe Egnatia Teatër gjatë kësaj fundjave në orën 19:00. Është një komedi lirike e komedianit italian Aldo De Benedetit. Sipas Kutalit, komedia ka mesazhe aktuale të familjes së sotme, jo vetëm shqiptare. Vepra është një ngjarje më shumë e jetuar nga krijuesi i saj, De Benedeti sesa një trillim letrar. Ajo ka në qendër raportet familjare, situata plot humor që provokohen nga ngacmime të shpirtit aventuroz të protagonistëve e që më pas prodhojnë realitete që mund të cenojë, madje të çojnë deri në shkatërrimin e familjes: Por mos të harrojmë heronjtë tanë janë pjesë e të përditshmërisë moderne. Si të tillë ata nuk provojnë precedentin “Ndarje” pasi shoqëria e sotme edhe pse jo rëndom prodhon ende shpirtra të brishtë që kanë të qëndrueshëm genin e së mirës njerëzore, vendosur kjo natyrshëm në frymën sunduese të mesazhit të komedisë: “Familja duhet mbrojtur me çdo kusht”. Gjatë konferencës regjisori shprehu se komedia “Romancë dashurie” është një vepër për të jetuar më së shumti se sa të shkruar, pra, bëhet fjalë për një realitet të jetuar se sa të krijuar, por përqasja midis të vërtetës njerëzore dhe asaj artistike, ka edhe artin e kreacionit. Më tej ai tha se “Jemi përpjekur që ti qëndrojmë besnik veprës dhe njëkohësisht të përqasemi me realitetet prezentë në Shqipëri. Mendoj se familja shqiptare në veçanti, duke qenë se vepra nuk i kalon kufijtë e një vepre familjare edhe pse mesazhi i saj i shkon përshtat theksimit shoqëror. Përjeton edhe sikur në botën e qytetëruar pjesën e aventurës njerëzore, e sot e ndjejmë që të jetë më afër nesh, kjo është arsyeja kryesore që i jam referuar kësaj vepre. Ky realitet që është një pjesë e realitetit të situatës ku edhe humori që buron shumë natyrshëm, pra është shumë organik e si i tillë ai provokon ndoshta jo të qeshurën, apo të gajasurën, por provokon një të qeshur që prapa saj ka edhe një bisht nga mbrapa sepse secili prej nesh si protagonist mua më duket se shkakton edhe me faktorin tjetër që ka të bëjë me masën që duhet të marrë teatri për tu konvertuar jo vetëm në një institucion atraktiv por njëkohësisht edhe edukues”. Ndërkohë Kutali cilësoi se kemi bërë kujdes që vepra të shpërfaqet në origjinalitetin e saj, që të respektojmë këtë botë të situatave që provokohen dhe që pasojnë njëra tjetrën e pa lënë mënjanë që ta bëjmë edhe pak shqiptare. Vepra ruan universalitetin e saj, por edhe duke e përafruar edhe me realitetin e sotëm shqiptar. Mesazhi i veprës, për familjen duhet të kontribuojmë që të gjithë që ta mbrojmë me çdo çmim. Nëse ruajmë familjen, kemi ruajtur shoqërinë, kemi krijuar një precedent të mirë për tëe ardhmen e gjeneratave që vijnë pas, mendoj se ky realitet special që jep teatri në një orë e gjysmë, do të jetë pjesë e tërësisë së realiteteve tona të përjetuara në vazhdimësinë e jetës

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›