E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, Holanda dhe Britania, pro Kosovës, Rumania kundër



Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, të enjten, ka vazhduar seancat dëgjimore lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës me paraqitjet e Holandës, Rumanisë dhe Britanisë së Madhe. E para ka folur përfaqësuesja e Holandës, Lizbet Lajzand, që ka thënë se vendi i saj konsideron se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Ajo ka apostrofuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, pasi më parë ishin ezauruar të gjitha mundësitë tjera për zgjidhje të çështjes. Lajzand ka thënë se e drejta e Kosovës për vetëvendosje del edhe nga shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, që janë dëshmuar në OKB dhe gjykatën e Hagës. Në këtë kontekst, ajo ka folur për 700 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova përmes vrasjeve, dhunimeve dhe shkatërrimeve. Lizbet Lajzand, në vazhdim, ka thënë se në ish-Jugosllavi, Kosova ishte autonome, por kjo pozitë kushtetuese u asgjësua dhe shqiptarët mbetën të papërfaqësuar në nivelin federativ dhe, rrjedhimisht, krijuan institucionet paralele si themel i vetadministrimit. Folësi tjetër ka qenë përfaqësuesi i Rumanisë, Bogdan Areshku, që ka mbrojtur pozicionin e Serbisë dhe ka pohuar se nuk pajtohet me qëndrimet e atyre që thonë se GJND-ja nuk duhet të deklarohet rreth çështjes së Kosovës. Rumania nuk pajtohet as me qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka ndikim në të drejtën ndërkombëtare. “Krijimi i një shteti është çështje e GJND-së. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt, por edhe me krijimin e një subjekti të ri të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Areshku. Britania e Madhe, që ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, është përfaqësuar nga Deniel Betlhem dhe Xhejms Kraford.
Zoti Betlhem, në hapje të ekspozesë së tij, ka bërë të ditur se do të polemizonte me të gjithë ata që në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kontestuan ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka shtruar pyetjen nëse Rezoluta 1244 ndalon shpalljen e pavarësisë dhe menjëherë është përgjigjur se kjo nuk qëndron, sepse “Rezoluta 1244 nuk përcakton statusin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, as nuk e ndalon pavarësinë”. Ai ka kundërshtuar Rusinë, Spanjën, Rumaninë, Argjentinën, Brazilin dhe vendet tjera që janë thirrur në Rezolutën 1244 dhe ka thënë se të gjithë ata i kanë bërë interpretim të gabuar asaj.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›