Orkestra Simfonike e RTSH, një koncert me pjesë premierë në skenën e arteve
Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH vijon të mbushë me tinguj klasikë skenën e Akademisë së Arteve. Në vijim të kësaj stine koncertore mbrëmë për publikun ka ardhur koncerti i radhës, nën drejtimin e dirigjentit maqedonas Aleksandar Lekokovski-Lekaj. Ky koncert është shoqëruar nga zëri i sopranos së njohur Dëshira Ahmeti. Gjatë koncertit erdhën edhe pjesë premierë për publikun, duke e bërë këtë mbrëmje koncertore të veçantë. United 2000- (dedikuar UN) erdhi si premier dhe u luajt për herë të parë, duke mos lënë edhe pjesë nga Verdi “La Forza del Destino” ouverturë, Puçini arie nga opera “Madamme Batterfly” etj. Sopranoja Dëshira Ahmeti është e para dhe e vetmja soliste shqiptare në opera në Maqedoni. Gjatë kësaj kohe ka pasur angazhime dhe koncerte të ndryshme në vend dhe Kosovë. Disa nga koncertet e saj më të suksesshëm janë; në vitin 2000 koncerti i organizuar nga aktorja e njohur hollivudiane Vanesa Redgrave, ku ka bërë hapjen e këtij koncerti me vepra të autorëve shqiptarë si Rauf Dhomi dhe Prenk Jakova, koncert i cili u transmetua edhe në kanalet televizive të BBC-së angleze dhe në Kanada. Koncerti në 2002 me Filarmoninë e Kosovës kushtuar Nënë Terezës. Në teatrin e Operës të Maqedonisë ka interpretuar disa role dhe një numër të madh koncertesh të organizuara në këtë institucion. Ka debutuar me rolin e Mikaelës nga opera “Karmen” dhe më pas në rolin e Paminës nga “Flauti Magjik”. Koncerti Gala në vitin 2006 së bashku me baritonin e njohur maqedonas Igor Durlovski dhe me tenorin Kastriot Tusha pati një sukses të veçantë.
11 Dhjetor 2009