Presidenti Barak Obama merr çmimin “Nobel” për paqe
Blerina Olldashi
Presidenti amerikan, Barak Obama ka marrë medaljen dhe diplomën e çmimit “Nobel” për Paqen të shoqëruara nga një duartrokitje e gjatë e të pranishmëve. “Jam në fillim të punës sime, për të dhënë një kontribut për botën. Krahasuar me disa nga gjigantët e historisë, që janë nderuar me këtë çmim si: Shueitzer dhe King, Marshall dhe Mandela, arritjet e mia janë minimale. Mbase merita ime qëndron në faktin që jam komandant udhëheqës i një kombi në mes të dy luftrave. Njëra nga këto luftëra po merr drejtim tjetër”,- është shprehur kreu i Shtëpisë së Bardhë në fjalën e tij të nderit. Presidenti e pranoi këtë çmim 9 ditë pasi vendosi për dërgimin e 30.000 trupave shtesë në Afganistan. Veprimin e marrjes së çmimit, presidenti e cilësoi si kontradiktor për disa persona, në kohën kur lufta vazhdon, duke iu referuar Luter Kingut dhe Mahatma Gandit: “Si udhëheqës i një vendi premtoj se do të mbroj kombin tim. Nuk mund të ndikohem për një kohë të gjatë nga shembujt e figurave historike. Përballem me botën dhe për të mos bërë gabime duhet të pranoj se: e keqja ekziston në botë. Nogociatorët nuk mund të bindin al Qaedën të ulë armët. Ndonjëherë forca është e domosdoshme, kjo nuk është një thirrje cinike, por një pranim i historisë, mos përsosmëria e qenies humane dhe limitet e arsyes”,- tha presidenti Obama.
“Nuk jemi të burgosur të fatit. Veprimet tona mund të drejtojnë historinë drejt drejtësisë”,- ka vazhduar më tej Obama. Për kreun e Shtëpisë së Bardhë, mjetet e luftës luajnë një rol në ruajtjen e paqes. “Nuk kam me vete sot një zgjidhje përfundimtare për problemet e luftës”,- ka deklaruar ai gjatë ceremonisë. Presidenti amerikan është shprehur modest në lidhje me çmimin e marrë dhe ka vlersuar se ndoshta të tjera personalitete e kanë merituar më shumë. “Padyshim ka pasur të tjerë që ndoshta e kanë merituar më shumë çmimin Nobel për Paqe”,- deklaroi presidenti amerikan Barak Obama. Komentet u bënë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin norvegjez. “Nuk kam dyshim se ka të tjerë që mund ta kenë merituar më shumë çmimin “Nobel”. Detyra ime është të vazhdoj rrugën, që mendoj se është e rëndësishme jo vetëm për Amerikën, por është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë në botë”,- tha Obama. Ai premtoi thellimin e politikës së angazhimit dhe përfshirjes në politikën e jashtme, përfshi përpjekjet për arritjen e paqes dhe sigurisë përfundimtare në botë, stabilizimin e Afganistanit, adresimin e problemeve që lidhen me ndryshimet klimatike dhe zhbërjen e armëve bërthamore. Këtë vit për çmimin “Nobel” për paqe u propozuan një numër rekord prej 205 kandidatësh. Kur u vendos që çmimi t’i jepej presidentit Barak Obama, në post prej më pak se një vit, lajmi u prit disi me habi dhe skepticizëm. Komisioni i Nobelit tha se po vlerësonte aftësinë e presidentit për t’u dhënë shpresë njerëzve dhe për të mbështetur diplomacinë ndërkombëtare. Por kritikët thonë se ai nuk mund të krahasohet me laureatët e mëparshëm si Nelson Mandela apo Nënë Tereza.
11 Dhjetor 2009