E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e shtatë e maqedonasit dhe “Georg”

Durrës

Nata e shtatë e maqedonasit dhe “Georg”

Mbrëmë ka qenë nata e shtatë e prezantimit të filmave konkurrues në Festivalin Ndërkombëtarë të Filmit në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. Edhe gjatë kësaj nate janë prezantuar produksione të reja kinematografike, ku të radhës kanë qenë dy premiera të huaja, e jo shqiptare. Për të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet kulturor, si një prej evenimenteve më të rëndësishme në vend, është prezantuar një premierë maqedonase, si dhe një bashkëprodhim maqedonas-kroato-serb.

Fillimisht natën e shtatë të konkurrimit e ka hapur filmi maqedonas “Upside down” (I përmbysur). Premiera në fjalë e cila është pretendonte për çmimin e madh “Gladiatori i Artë”, është një produksion i regjisorit të njohur Igor Ivanov.

Subjekti i këtij filmi trajton ngjarje tragjike që prekin jetën shoqërore dhe zhgënjime të njëpasnjëshme jetësore.

Në qendër të premierës regjisori i filmit na sjell historinë e një personi i cili kishte qenë i lumtur deri në kohën kur ai ishte vetëm një student. Ndërkohë që kohë më vonë ai bëhet pjesëtar i një cirku dhe shumë shpejt bie në një gjendje vetëshkatërruese. Ndërkohë që protagonisti kryesor udhëtonte në një tren, rastësisht njihet me një shoqe misterioze. Jani është një burrë që dikur kishte një të ardhme shumë premtuese, ishte një student i mirë dhe në atë kohë ishte edhe shumë i talentuar në cirk, ku ishte edhe shumë aktiv në evente të tilla. Por jo gjithçka shkoi mirë dhe ashtu siç ai e kishte parashikuar. Tani, ai gjendet diku në një cep të qytetit duke u vetëshkatërruar.

Premiera e filmit maqedonas “I përmbysur” (Upside down) me regji të Igor Ivanovit është prezantuar në Festivalin e 42-të të Filmit Internacional në Karlovi Vari, në Çeki. Filmi merrte pjesë në konkurrencën zyrtare, në njërën nga tri programet kompetitive të festivalit, ku sivjet janë shfaqur më shumë se 200 filma të rinj nga bota.

Filmi është xhiruar sipas pjesës të dytë të romanit “Kërthiza e botës” të Venko Andonovskit dhe është në produksion i “Sektor film” nga Shkupi, “Mainframe Productions” nga Kroacia dhe “Cinears” nga Serbia. Xhirimi u zhvillua nga nëntori 2005 deri në maj të vitit 2006, në lokacionet në Shkup, postproduksioni ishte në Budapest, Vjenë dhe në Zagreb. Filmi financiarisht është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, Kroacisë dhe Serbisë, si dhe nga Global Film Initiative.

Ndërkohë që pasi filmi maqedonas “Upside Down” duartrokitet nga të pranishmit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, vjen një tjetër konkurrent për “Gladiatorin e Artë”.

Filmi i dytë pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në qytetin antik të Durrësit gjatë ditës së djeshme ishte një prodhim i huaj, i titulluar “Georg”. Filmi konkurrues në natën e shtatë ishte një prodhim estonez i ardhur nga regjisori Piter Sim. Produksioni kinematografik “Georg” tregon historinë e një prej këngëtarëve më të famshëm të Estonisë, Georg. Është një prodhim i cili përveç se trajton jetën e tij artistike, nuk lë pa trajtuar po ashtu edhe jetën e tij familjare, fatin e tij si dhe ngjarjet e mëtejshme të jetës kulturore. Këngëtari ishte me një talent të jashtëzakonshëm, por mbeti i panjohur në skenat ndërkombëtare të operës. Por ai nuk është fatkeq. Këngëtari i pasionuar gjen një mbështetje të paimagjinueshme nëpërmjet fansave të tij estonezë. Në këtë mënyrë, shumë shpejt gjeti po ashtu edhe adhurimin e publikut rus dhe atij finlandez. Ky film tregon historinë e këtij këngëtari, fatin e tij shumë të komplikuar dhe me shumë ndryshime. Është një histori personale, një histori dashurie dhe intrigash.

S. Furriku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›