E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të gjallë dhe të vdekur” garoi me tragjeditë e Bosnjës

“Të gjallë dhe të vdekur” (Living and the dead) ka qenë garuesi i radhës gjatë natës së pestë të konkurrimit në Festivalin Ndërkombëtarë të Filmit në qytetin antik të Durrësit. Produksioni me regjisor Kristian Miliç është përfaqësuar me tmerrin e luftës së 15 viteve më parë në Bosnjë. Bashkëprodhimi kroato-boshnjak pasi ka “shëtitur” në 20 festivale të tjera evropiane, ka ardhur para artdashësve dhe specialistëve si një vepër e mirë filmike, me një gjuhë të pasur dhe me individualitete artistike të spikatura. Por, mbi të gjitha, ka sjellë një këndvështrim regjisorial të ri, që mbështetet edhe mbi përvojat personale të jetuara në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një interviste regjisori Kristian Miliç ka treguar mbi kohën kur ka qenë ushtar në Kosovë, si dhe për muajt e përjetuar si tankist gjatë konfliktit në Bosnje. Por, mbi të gjitha ka treguar përvojën e parë si regjisor i një filmi me metrazh të gjatë.

“Filmi bazohet në romanin e Josip Mlakiç, i cili është edhe skenaristi i këtij filmi”, - thotë regjisori Miliç, i cili ka studiuar në Akademinë e Filmit në Zagreb. Bashkëpunimi kroato-boshnjak është thuajse kudo i barabartë si në financim edhe në përbërjen aktoriale.

“Xhirimet e tij kanë zgjatur tre vjet dhe janë ndërprerë disa herë për shkak të buxhetit të vogël fillestar”, - shprehet 38-vjeçari Miliç, duke shtuar se më parë kishte xhiruar disa filma me metrazh të shkurtër.

“Kur rifillonim punën, kisha frikë se aktorët mund të ishin shëndoshur apo dobësuar, por gjithçka ka shkuar mirë. Ishte një grup interpretuesish mjaft prej të cilëve pa asnjë përvojë filmike, me të cilët kam punuar plot entuziazëm. Nuk është një film i realizuar për para, por për të treguar një histori tragjike, mjaft e komplikuar për shumë popuj që nuk kanë përjetuar tmerre të tilla në fund të shekullit XX”, - nënvizon Kristian Miliç.

Dy ngjarje të rënda të historisë së kësaj pjese të Ballkanit tregohen paralelisht dhe përveç lidhjes logjike të luftës mizore, mbartin edhe vazhdimësinë e njërit prej personazheve, gjyshi i të cilit në vitin 1943 ka përjetuar të njëjtat rrethana. Një grup fashistësh kroatë, pasi uzurpojnë një pikë strategjike në Bosnjë marrin peng disa myslimanë, që i mbajnë deri sa të mbërrijë grupi tjetër për t'i ndërruar. Ngjarja në Fushën e Varrezave ripërsëritet 50 vjet më vonë në vitin 1993 dhe grupi i ushtarëve duket se ndjek të njëjtën logjikë: një luftë pa kuptim mes njerëzve që njihen mes tyre, një luftë pa fitues, por vetëm me humbës. Regjisori Miliç e ka përjetuar tmerrin e luftës mbi një tank. “Isha tankist, shprehet ai duke shtuar se “kjo më ka shërbyer për atmosferën që duhet të krijoja në film”. Ai tregon se në vitin 1988-1989 për një vit radhazi ka kryer shërbimin ushtarak në Kosovë. “Po, kam qenë ushtar në Prizren dhe në Gjakovë. I njihja shqiptarët edhe më parë, pasi në Zagreb ka shumë nga bashkatdhetarët tuaj. Por edhe gjatë shërbimit ushtarak kam patur shumë miq. Nuk kishte filluar ende lufta dhe kriza në Kosovë dhe në Ballkan përjetohej ndryshe”, - tha Miliç. Filmi “Të gjallë dhe të vdekur” ka marrë pjesë brenda një viti në 20 festivale ndërkombëtare. “Nga Festivali i Pulës në Kroaci, ku është paraqitur për herë të parë, filmi është prezantuar edhe në festivale të tjera në Kroaci, Itali, Gjermani, SHBA, Egjipt, Suedi, Slloveni, Turqi, Bosnjë etj”, - nënvizon Miliç.

Sipas tij, nuk ka rëndësi nëse festivali është i përmasave të mëdha apo të vogla. “Unë jam ndier mirë në festivalin ndërkombëtar “Grosmmann” që zhvillohet në Ljutomer të Sllovenisë”, - shprehet ai duke shtuar se edhe këtu në Durrës ndihej mirë. “Vendi është i bukur dhe njerëzit janë mjaft të shoqërueshëm”, - përfundon ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›