E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke qëllon me armë, ikën Alket Rizai

 

ATHINE - Policia greke është gjendur dje fare pranë gjurmëve të Alket Rizait, shqiptarit të arratisur në mënyrë spektakolare pak muaj më parë nga burgu Koridhalos bashkë me shtetasin grek Vasilis Paleokostas. Një patrullë e policisë kërkoi ndalimin e një mjeti "Ëolksvagen" rreth orës 20:00. Makina nuk pranoi të ndalonte në postbllokun e lëvizshëm të policisë, e cila kërkoi të bënte kontrollin. Policia është vënë në ndjekje të makinës, madje ka qëlluar me armë në drejtim të saj. Drejtuesi i makinës sipas policisë greke ka qenë Alket Rizai, i cili e ka braktisur mjetin dhe është larguar në këmbë në drejtim të panjohur, duke humbur gjurmët në pyllin e zonës Ksilokastro, 150 km nga Athina. Menjëherë forcat e policisë kanë rrethuar makinën luksoze, por pa arritur të arrestojnë drejtuesin e saj dhe pasagjerin. Në automjet policia gjeti një Kallashnikov, 5 celulare dhe 100 fishekë. Gjate kontrollit është vërtetuar se shenjat e gishtave në timonin e mjetit dhe në vendin e pasagjerit janë të Alket Rizait dhe Vasilis Paliokaostas dy personave të arratisur me helikopter nga burgu Koridhalosë. Policia greke mësoi se targat e makinës që përdornin të arratisurit janë të vjedhura nga e njëjta makinë e të njëjtës markë në pronësi të një kompanie të pëlhurave me qendër në lagjen Peristeri të Athinës. Sipas burimeve paraprake të policisë greke, në makinë nuk u dalluan shenja gjaku. Megjithatë, policia nuk përjashton mundësinë që Alket Rizai të jetë plagosur nga të shtënat e shumta gjatë kohës, që mjeti kapërceu bllokun dhe nuk ndaloi sipër urdhrit të forcave të rendit. Policia greke është vënë me forca të shumta dhe ka përforcuar kontrollin, duke rrethuar gjithë zonën ku ndodhi largimi i Alket Rizait. Sipas policisë dy të arratisurit ka mundësi të ndihmohen nga gruaja, e cila i përkrahu në arratisjen e tyre dy muaj më parë nga burgu Koridhalos. Policët grekë kanë zbuluar shtëpinë, ku strehoheshin dy të superkërkuarit, por asgjë nuk dihet për vendndodhjen e tyre aktuale.        m.c

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›