E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet dokumenti,Nexhmija e shpalli armik Mehmet Shehun

 

Tanimë rruga e trashëgimtarit të zgjedhur ishte e lirë. Mehmet Shehu u eliminua fizikisht. Nuk mbetej gjë tjetër, veçse që figura e një prej njerëzve më të fuqishëm të shtetit, i cili konsiderohej si pasues i Enver Hoxhës, të shuhej njëherë e përgjithmonë. Jo më kot drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi e quan këtë akt një vrasje-vetëvrasje. Pasi ka publikuar një pjesë të materialeve, që ai ka zbuluar në librin “Plumba Politikës”, Dervishi po përgatit botimin e një libri të ri mbi vrasjen e Mehmet Shehut. Në këtë libër, pjesë të së cilit ai na i ka vënë dispozicion, Nexhmije Hoxha del si organizatorja numër një e vrasjes së ish-kryeministrit. “Krijimi i alibive para dhe pas vrasjes nuk mund t’i atribuohen shumë vetëve, por fare pak prej tyre, gruas së diktatorit dhe trashëgimtarit të pushtetit”, - shkruan Dervishi. Siç del në librin e tij “Plumba Politikës” dy janë njerëzit, të cilët janë marrë drejtpërdrejtë me këtë çështje, ish-ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu dhe bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija. Nëse Hazbiu konsiderohej si një nga figurat më të rëndësishme të kohës, që drejtonte një pozicion kyç, ndërhyrja në këtë çështje e Nexhmije Hoxhës, e cila aso kohe ishte vetëm drejtoreshë e Institutit të Studimeve – Marksiste Leniniste, duket e “çuditshme”. Logjikisht kjo të çon në përfundimin se ka qenë pikërisht ajo organizatorja e vrasjes së Mehmet Shehut, në një kohë, kur Enver Hoxha, po kalonte një periudhë të vështirë nga ana shëndetësore. Flitej se shëndeti i tij ishte rënduar shumë dhe gjithë frenat i kishte marrë në duar e shoqja. Pas gati 3 vjet e gjysmë, ai do të ndahej nga jeta dhe vendin e tij do ta zinte Ramiz Alia. Pjesëmarrjen e Nexhmije Hoxhës në “operacionin” e damkosjes së figurës së Mehmet Shehut e vërteton një dokument sekret, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mban datën 23 nëntor 1982. Nuk ishte mbushur ende viti, nga vetëvrasja e bujshme, kur Nexhmije Hoxha mori në duar gjithë materialin e mundshëm dokumentar mbi Mehmet Shehun, mbi gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij, që nga rinia, deri në momentin e fundit, që u mbyll me vetëvrasje (vrasje). Sipas dokumentit sekret, që na vihet në dispozicion nga drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, mësojmë se me autorizimin e ministrit, Nexhmije Hoxhës i është dorëzuar një arkë druri me materiale, të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në dokumentin sekret thuhet se “kopja e fotokopjuar e këtij materiali i është dërguar shoqes Nexhmije Hoxha në datën 4 shtator të vitit 1982”. Gjithashtu, mësohet se bashkë me këtë material, iu dërgua edhe një dokument të misionit anglez për Shqipërinë, që flet për “armikun Mehmet Shehu si dhe diagrame përmbledhëse mbi bandat, grupet, organizatat kundërrevolucionare e provokacionet e kryera nga titistët e Beogradit e të asgjësuar gjatë viteve 1945-1980”. Në të njëjtin dokument thuhet se Nexhmijes i kanë shkuar edhe të tjera materiale, të miratuara më parë nga ministri i Punëve të Brendshme, që në atë kohë ishte Kadri Hazbiu. Ndërkohë që një material i tillë u vihej në dispozicion vetëm sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. “Në të gjithë materialin e grumbulluar nuk ka asnjë element, që do të mund të krijonte bindjen më të vogël të “poliagjencës” së Mehmet Shehut, pavarësisht volumit të madh që është krijuar”, - saktëson Dervishi në librin e tij të ri. Duket se Nexhmije Hoxha ka shfletuar çdo material të mundshëm për të justifikuar jo thjesht vrasjen e Mehmet Shehut, e cila u vulos shumë shpejt si një akt “vetëvrasjeje”, por më së shumti njollosjen e emrit të tij dhe etiketimin “armik i popullit”, apo “poliagjent”. U gërmuan të gjitha materialet, që mund të gjenin ndonjë lidhje të mundshme të Shehut me agjenturat angleze, apo titiste, jugosllave. Por Nexhmijes, nuk iu desh një vit për ta bërë një gjë të tillë. Ishte ende i ngrohtë trupi i Mehmet Shehut, kur PPSH-ja e shpalli ish-kryeministrin armik të popullit. Ende nuk ishte mbyllur procesi hetimor, kur çështjes i ishte vë në kapak. Më 19 dhjetor 1981, ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Kadri Hazbiu, u drejtohet komandave të korpuseve, grupimeve operative, komandave të shkollave ushtarake, ishullit të Sazanit dhe të reparteve autonome të MMP, që të pastronin çdo gjurmë të Mehmet Shehut. Urdhri i dërguar në formën e një telegrami urgjent niste:
“Lidhur me aktin e poshtër, thellësisht armiqësor të Mehmet Shehut, ju porosit të merrni edhe këto masa..”.
Masat lidheshin me heqjen e të gjitha fotografive të Mehmet Shehut nga të gjitha zyrat, lokalet, klasat, kabinetet, kazermat. “Të pastrohen të gjitha citatet që mbajnë firmën e tij, vendosja e të cilave ka qenë e gabuar”,- thuhet në të. Për të vijuar me qëmtimin e literaturës ushtarake, politike, urdhrave, udhëzimeve, etj. Ky urdhër duhej të zbatohej deri në datën 22 dhjetor të po atij viti. Dhe vetëm 4 ditë nga ngjarja, më 23 dhjetor 1981, me nënshkrimin e Feçor Shehut dhe Manush Myftiut, Komisioni i Internimit dhe Dëbimit, vendosi internimin e familjarëve të Mehmet Shehut. Shpejtësia me të cilën u mbyll kjo çështje, tregon për një skemë të menduar hollë e prej kohësh. “Deri në kongresin e 8 të PPSH-së në nëntor 1981, Mehmet Shehu, nuk duhej të vriste veten, pasi prishej atmosfera e këtij kongresi, që do të ishte edhe i fundit për Enver Hoxhën. E gjithë ngjarja u la pas kongresit, në mesin e dhjetorit 1981, pikërisht në një moment që i përshtatej më së miri rrethanave të krijuara. Kishin kaluar edhe festat e nëntorit 1981. Pra krijimi i alibive para dhe pas vrasjes nuk mund t’i atribuohen shumë vetëm, por fare pak prej tyre, gruas së diktatorit dhe trashëgimtarit të pushtetit”, - thotë Dervishi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›