E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në depresion pas vdekjes së vajzës, vetëhelmohet

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Nuk përballoi dot vdekjen e vajzës 3 vjeçe, vetëhelmohet 45-vjeçarja. Në një gjendje të rëndë depresive, Pashka Vila i dha fund jetës, duke lënë jetimë dy fëmijë të tjerë. Ngjarja e rëndë tronditi për herë të dytë brenda pak muajsh familjen Vila, në lagjen Rranxë të komunës Bushat në Shkodër. E zonja e shtëpisë, para se të ndërmerrte vendimin ekstrem, kishte shkruar një letër, ku tregonte dhe motivet. "Më është mërzitur jeta ndaj dhe nuk mund të vazhdoj të jetoj më. Ju lë amanet që të më varrosni pranë vajzës sime". Sikurse bëjnë të ditur burime policore nga Shkodra, rreth orës 08:30 të së hënës është dërguar pranë spitalit rajonal të Shkodrës nga të afërm të saj 45-vjeçarja Pashka Vila, (Deda) lindur në Pukë dhe banuese në komunën Bushat. Menjëherë mjekët kanë konstatuar se ajo kishte konsumuar një sasi të madhe lëndësh fosfororganike (lëndë helmuese, pesticidesh bujqësore). Megjithëse të afërmit e saj janë munduar ta sjellin me shpejtësi në spital 45-vjeçarja ka mbërritur e vdekur aty, ndaj dhe mjekët nuk kanë pasur se çfarë të bëjnë më tej. Mjekët lajmëruan policinë, ekspertët e së cilës nisën hetimet në lidhje me shkaqet e vdekjes së gruas. Ata nuk e kanë pasur të vështirë që të mësojnë arsyet e vetëflijimit. Mbi komodinën e dhomës së gjumit të viktimës u gjet një letër e shkruar nga Vila para se ajo të gëlltiste kokrrat e helmit. Vetë ajo nuk kishte lënë asnjë dyshim pas vdekjes, duke pohuar se humbja e vajzës së vogël kishte qenë e papërballueshme. Të marrë në pyetje nga policia, familjarët e viktimës treguan se prej rreth 5 muajsh që kishte ndodhur vdekja e fëmijës, si pasojë e një sëmundjeje, gruaja kishte shfaqur probleme të rënda psikike. Madje, ajo ishte shtruar disa herë në spital për këtë problem. Në këto kushte, ndonëse 45-vjeçarja ndodhej nën vëzhgimin e familjarëve të saj, ka mundur që në një moment t'u shpëtojë atyre. Ajo ka gjetur si rrugë për t'i dhënë fund jetës atë të helmimit, duke pirë preparatet që përdoren në bujqësi për të luftuar dëmtuesit e pemëve. Policia e Shkodrës bllokoi letrën në cilësinë e provës materiale për vetëvrasjen e fundit, e cila la të tronditur të gjithë komunën e Bushatit. Tashmë, në familjen Vila kanë mbetur jetimë dy fëmijët e tjerë të Pashkës, që kaluan brenda pak javësh humbjen e dytë të njerëzve të dashur.

Precedenti në Kamëz
Një grua 31-vjeçare i dha fund jetës, duke u vetëvarur në ballkonin e shtëpisë së saj mëngjesin e 10 prillit. Vetëm kur fqinjët panë trupin e Ruzhdie Hoxhës të pajetë dhe nxituan ta hiqnin nga laku mësuan tragjedinë e familjes. Gruaja kishte ndërmarrë aktin e vetëflijimit, pasi pak orë më parë i biri vetëm 10 vjeç kishte vdekur. Nga hetimet e para ka rezultuar se djali ndërroi jetë në kushtet e temperaturës së lartë. Më pas, e ëma, e cila jetonte bashkë me djalin e vetëm kishte kaluar në depresion, për shkak të humbjes së tij. I shoqi ishte në emigracion, duke e bërë të pamundur shpëtimin në kohë të gruas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›