Pranga dy shqiptarëve me 2.2 kilogramë kokainë
Peruxhia - Dy shqiptarë janë vënë në pranga pasi janë kapur me 2.2 kilogramë kokainë të pastër. Arrestimi është bërë mesditën e djeshme në Peruxhia të Italisë dhe në pranga kanë rënë Gazmend Hamiti dhe Ilmi Tila, të dy 25-vjeçarë. Media italiane ka bërë të ditur se vënia në pranga e tyre është bërë nga patrullat e lëvizshme të Peruxhias. Sipas tyre, lënda narkotike që u është sekuestruar dy të ndaluarve e kalonte vlerën e 100 mijë eurove. Ndalimi i tyre është bërë në autostradën E45, në Citta' di Castello. Policia ka bërë të ditur se, droga e bllokuar ishte e destinuar për tregun lokal. Dy emigrantët shqiptarë janë ndaluar në momentin që ishin duke mbushur makinën me karburant. Dy emigrantët ishin me dokumente të rregullta dhe në momentin e ndalimit ishin përpjekur që të bënin rezistencë. Droga është gjetur në një çantë, e ndarë në dy pako me nga 1 kilogram secila. Gjithashtu janë bllokuar dhe 4 telefona celularë dhe disa qindra euro.
Një në kërkim
Grabitje me armë, arrestohen dy të dyshuar
LEZHË - Dy persona mësohet se janë vënë në pranga për grabitje me armë. Policia e Lezhës ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se ka vënë në pranga dy persona të shpallur në kërkim për akuzën e grabitjes së pasurisë. Sipas burimeve zyrtare nga policia e lokale, dy të arrestuarit akuzohen se kanë grabitur dhe kërcënuar me armë një shtetas nga Kukësi, me inicialet SH. M. Drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, ka dhënë detajet e kësaj ngjarjeje. Sipas tij, në këtë ngjarje akuzohen se kanë marrë pjesë tre persona, ndërsa pas kapjes së dy prej tyre policia ka shpallur në kërkim të tretin. Sipas Drejtorisë së Policisë së Lezhës, dy të arrestuarit akuzohen se në datën 27 prill 2010 në komunën Kthelë, të dyshuarit akuzohen se i kanë grabitur qytetarit nga Kukësi dy telefona celularë me anë të kërcënimeve me armë. Gjatë arrestimit të grabitësve policia tha se ka sekuestruar dhe armë luftarake, si dhe municion që mbaheshin nga grabitësit.
Droga
Itali, shkatërrohet organizata italo-shqiptare
MILANO - Një operacion i Policisë italiane në katër qytete arrestoi anëtarët e një grupi kriminal italo-shqiptar që kryente trafikimin dhe shpërndarjen e drogës. Lajmi është bërë i ditur nga media e shtetit fqinj, që ka cituar burime të policisë. Sipas karabinierëve italianë, aksioni është zhvilluar në disa qytete, si në Luça, Piza, Leçe dhe Mantua. Gjatë këtij aksioni janë ekzekutuar tetë urdhra arresti të lëshuar nga gjykata ndaj personave të akuzuar për tregti dhe kontrabandë drogë. Policia tha se të arrestuarit janë akuzuar për mbajtje dhe trafikim droge, ndërsa u është sekuestruar 7 kilogramë hashash, si dhe 500 gramë kokainë. Hetimi ndaj tyre kishte filluar në muajin nëntor të vitit 2007, pasi një prej korrierëve që shiste drogë për llogari të bandës u arrestua dhe u mbajt në polici për llogari të hetimeve. E pikërisht nga dëshmitë e dhëna nga i ndaluari, policia ka mundur të zbulojë dhe rrjetin dhe pas 2 vite e gjysmë hetimesh ka ndaluar të dyshuarit.
29 Prill 2010