Ngjarje makabre në Greqi, shqiptari “shkohet në hell”
Artan CENA
ATHINË – Tmerr. E pabesueshme ajo që i ka ndodhur një shqiptari në Kretë. Një 35-vjeçar shqiptar është përçudnuar në mënyrë çnjerëzore nga persona që Policia greke ende nuk i ka identifikuar. Emri i shqiptarit nuk është bërë i ditur. Ai është dhunuar me një shkop fshese, duke e kaluar nëpër anus dhe i ka mbërritur deri në mushkëri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur disa ditë më parë, por vetëm dje është zbuluar nga media. Gjithçka ka ndodhur në qytetin Hania, në ishullin grek të Kretës. Të tronditur nga kjo ngjarje makabre janë dhe qytetarët e qytetit helen, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e krimit të pashoq. Ngjarja është zbuluar rastësisht, kur vetë shqiptari ka shkuar në spital për t’u mjekuar. Aty ai kishte deklaruar se i dhembte kraharori. Por, gjatë vizitave të mjekut është zbuluar dhe ngjarja e rëndë. Menjëherë është njoftuar policia, që ka mbërritur në spital dhe ka nisur hetimet. Ende nuk ka një pistë në lidhje me krimin. Flitet se ai mund të jetë dhunuar në këtë mënyrë nga familjarët e së dashurës greke, apo nga ndonjë grup kriminal ku mund të kishte borxhe. Por, në orët mbrëmjes, media greke ka shkruar se kjo ngjarje mund të jetë vepër e një grupi racist, “Hrisi Avgji”, pasi mendohet se shqiptari ishte homoseksual dhe të rinjtë grekë janë hakmarrë ndaj tij.
Mjekët
Ngjarja tragjike me protagonist një emigrant shqiptar ka tronditur jo vetëm ishullin e Kretës, por të gjithë Greqinë. Sipas mjekëve, 35-vjeçari shqiptar është duke luftuar me vdekjen, pasi disa persona tentuan ta djegin të gjallë, pasi e kishin përçudnuar në mënyrë çnjerëzore me anë të një shkopi fshese. Mjekët grekë nuk janë të sigurt nëse shqiptari, ndaj të cilit është abuzuar në mënyrë çnjerëzore, do të mund të shpëtojë apo jo. Mjekët e spitalit ku gjendet 35-vjeçari emigrant kanë deklaruar se ai edhe sikur të dalë nga gjendja e rëndë, por nuk dihet me siguri nëse do të jetojë. Atij i janë dëmtuar rëndë shumë organe të brendshme të trupit, kanë thënë bluzat e bardha të spitalit në Kretë, prandaj dhe ne nuk mund të japim një përgjigje përfundimtare nëse ai mund të shpëtojë.
Ngjarja
Krimi i rëndë dhe i pashoq ka ndodhur mbrëmjen e së premtes së kaluar. Fatkeqi shqiptar kishte mbërritur në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, duke deklaruar se ishte plagosur ndërsa gjendej duke bërë banjë në shtëpinë e tij. Nga plagët e shumta që mjekët kanë parë kanë njoftuar policinë, e cila nuk e besoi deklaratën e 35-vjeçarit shqiptar, emigrant prej disa vitesh në shtetin helen. Kur mjekët kanë filluar që të bëjnë të gjitha analizat e nevojshme, rezultoi se ai ishte plagosur dhe i djegur në gjoks. Megjithatë, gjatë qëndrimit të tij në spital gjendja e tij është përkeqësuar shumë. Gjatë kësaj kohe atij i është rritur temperatura. Të ndodhur në këtë situatë, bluzat e bardha helene kanë bërë menjëherë analiza të reja. Kirurgët që e vizituan panë se kishte probleme në zorrën e trashë. Sipas drejtorit të shërbimit të spitalit, Jorgo Arhondaki, është vërtetuar se nga anusi i pacientit kishte hyrë një objekt, që mendohet të jetë shkopi i një fshese dhe i kishte shkaktuar probleme në zorrën e trashë, në mëlçi dhe organe të tjera, deri në mushkëri. Në anën e djathtë të gjoksit u gjet një send plastik dhe besohet si i kishin kaluar brenda në trup një shkop.
Rastet
Ky është rasti i katërt i dhunës ndaj emigrantëve dhe simboleve fetare në qytetin e Haniasë që prej fillimit të vitit. Me herët një sinagogë dhe një xhami janë djegur, ndërsa disa emigrantë pakistanezë u rrahën barbarisht prej anëtarëve të një organizate fashiste.
29 Prill 2010