Krimet e Rënda ndëshkojnë me dy burgime të përjetshme bandën e Mirditës
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 57 vjet burg dhe dy dënime të përjetshme gjashtë të pandehurit e bandës së Mirditës. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Bardhyl Dhama, ka shpallur fajtorë të pandehurit për akuzat e vjedhjes me armë, vrasje me dashje të Gjon Paçukut, si dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Nikollë Markut, Ndue Çupit dhe Preng Gjokas. Gjatë seancës së djeshme trupi gjykues ka deklaruar fajtor të pandehurin Dritan dhe Nikoll Syziu. Për të pandehurin Bardhok Syziu gjykata dha dënimin e saj me 15 vjet burgim, ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Tom Gjoka, Tom Syziu dhe Arjan Reçi, u shpallën fajtorë dhe u dënua me nga 14 vjet burgim secili. Ngjarja për të cilën u dënuan gjashtë të pandehurit ka ndodhur me 28 qershor të vitit 2000, ku mbeti i vrarë punonjësi i policisë, Gjon Paçuku. Ishin orët e para të mëngjesit kur 6 të pandehurit e kësaj bande, Dritan Syziu, Nikollë Syziu, Bardhok Syziu, Tonin Gjoka e Arjan Reçi vendosën që të grabisnin disa pjesë këmbimi për makina të një parkingu pranë ish-SMT-së së qytetit. I trembur, roja e parkingut njofton forcat e policisë për ngjarjen që po ndodhte. Menjëherë në vend paraqiten efektivat e policisë, të cilët mendonin se kishin të bënin me një vjedhje modeste. Pasi kanë parkuar makinën jashtë ish-SMT-së, u kanë kërkuar anëtarëve të bandës që të dorëzohen. Por, reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm duke qëlluar në drejtim të pesë efektivave të policisë, duke lënë të vrarë efektivin Gjon Pacuku dhe të plagosur Nikollë Markun, Bardhosh Jakun e Ndue Çupin.
Vendimi
Dritan Syziu, burgim përjetë
Nikoll Syziu, burgim përjetë
Bardhok Syziu, 15 vjet
Tom Syziu, 14 vjet
Tom Gjoka, 14 vjet
Arjan Recci, 14 vjet
29 Prill 2010