Filologjiku përcakton kriteret dhe afatet e aplikimit
Fakulteti i Histori-Filologjisë në kryeqytet përcakton procedurat e aplikimit për pesë programet e Doktoraturës që do të ofrojë gjatë këtij viti akademik. Më konkretisht, drejtimet e Doktoraturave që do të mund të ndiqen pranë Filologjikut janë: Shkenca Komunikimi dhe Informimi; Histori, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Trashëgimi Kulturore, Arkeologji; Gjeografi; Kërkime Gjuhësore; Studime Letrare. Sipas njoftimit zyrtar të Fakultetit Histori-Filologji, aplikimet për shkollën doktorale kanë nisur që dje, ndërkohë që dorëzimi i dosjeve duhet të bëhet në departamentet përkatëse. Ndërkaq, drejtuesit e Filologjikut kanë vendosur që aplikimet të mbyllen në datën 20 shkurt. Për rrjedhojë, kandidatët do të kenë afër një muaj kohë në dispozicion për të përgatitur dosjen e aplikimit si dhe për ta dorëzuar atë në Fakultet. Fill pas mbylljes së aplikimeve, pra nga data 20 shkurt deri më 1 mars do të bëhet seleksionimi nga komisionet e përzgjedhjes (Ad-Hoc) sipas kritereve të përcaktuara nga vetë departamentet. Ndërsa miratimi i emrave të përzgjedhur si fitues nga komisionet Ad-Hoc në Këshillin e Profesorëve do të bëhet deri në datën 15 mars. Pavarësisht se programet e studimit të Doktoraturës janë të ndryshme, dosja e aplikimit do të jetë e njëjtë për të gjithë kandidatët, ndërkohë që do të jenë kriteret ato që do të bëjnë ndarjen në përzgjedhjen midis tyre. Kështu, dosja e aplikimit duhet të përmbajë plot 12 dokumente që janë: curriculum vitae (CV); kërkesë personale; kopje e noterizuar e Masterit Shkencor, ose të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), ose diplomës sipas sistemit të vjetër apo titullit akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente; kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i Nivelit të Dytë (MND), e shoqëruar me listën e notave; të gjitha dëshmitë që kanë të bëjnë me kurset e kualifikimit, botimet etj.; kopje të kartës së identitetit; vërtetim i qendrës së banimit; 2 rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent); deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin; deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të Doktoratës; të paraqesë një projekt propozim për temën e doktoraturës dhe një platformë të shkurtër të doktoratës, si dhe udhëheqësin që kandidati mendon se mund ta udhëheqë; mandatin bankar të arkëtimit të tarifës së regjistrimit të dokumenteve (merret në departament një faturë për arkëtim). Ndërsa, përsa i përket kushtit të gjuhës angleze, që sipas Ligjit të ri të Arsimit të Lartë do të ishte një ndër kriteret e pranimit në studimet pasuniversitare, qofshin të ciklit të dytë apo të tretë, drejtuesit e Filologjikut bëjnë të ditur se “lidhur me gjuhën e huaj, do të ketë një komunikim të dytë, bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë, udhëzimet e MASH-it dhe të UT-së”.