Kasat fiskale, tatimet 700 mln lekë gjoba bizneseve që nuk i kanë
Janë 6550 biznese të vegjël, të cilët janë gjobitur në total me 699 mln e 685 mijë lekë, për mospajisje me kasa fiskle në afatin e duhur, siç e parashikon ligji. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bëjnë me dije se për biznesin e vogël, akoma vazhdon procesi i pajisjes me kasa fiskale, edhe pse afati zyrtar i tyre ka përfunduar. Statistikat nga tatimet, flasin për afërsisht 700 mln lekë gjoba, të vendosur bizneseve të vegjël, ndërkohë që për 1250 raste është bllokuar aktiviteti. Gjobat kanë vijuar deri në 100 000 lekë për çdo biznes, që nuk është pajisur me kasa fiskale brenda afatit ligjor. Të njëjtat burime kanë konfirmuar se deri tani janë instaluar 33 mijë pajisje fiskale, por strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sektori Task-Forcë i Drejtorisë së Hetimit dhe Drejtoritë e Verifikimit në terren, në drejtoritë rajonale tatimore, vazhdojnë kontrollet dhe verifikimet për evidentimin e subjekteve që nuk janë pajisur me pajisje fiskale. Nga një vlerësim i përgjithshëm i tatimeve, janë rreth 75 mijë-80 mijë subjekte që duhet të pajisjen me kasa fiskale. Deri tani janë pajisur me kasa 40% e biznesit të vogël, që përkthehet në 33 mijë biznese. Që do të thotë se ka ende subjekte që nuk i kanë vendosur ende kasat. Por shoqëritë e autorizuara, sipas tatimeve, po lidhin rreth 500 deri në 1 mijë kontrata në ditë për vendosjen e kasave.