“Filozofia e krrokamës”, në çastin e duhur
“I vetmi shërbim që një mik mundet vërtet të bëjë është të ta mbajë lart kurajën, duke ta vënë përpara një pasqyrë në të cilën ti mund të shohësh një figurë fisnike të vetvetes” - Xhorxh Bernard Sho.
Po e filloj me këtë thënie, sepse po analizojmë dhe prezantojmë, jo vetëm librin e Sylejman Aliut “Filozofia e krrokamës”, përmbajtjen, vlerat e tij, por edhe një rrah më të gjerë. Natyrisht se në hartimin e këtij libri nuk ka qenë tendencë për ndonjë kryevepër, pasi është një vështrim me mendime, opinione dhe pikëpamje që shtrohen në mënyrë të sinqertë për një rrethanë dhe jo për një person,
Libri nuk ka për qëllim të fokusojë e ta stigmatizojë personalitetin e një njeriu, por të analizojë mjedisin, rrethanat dhe të gjitha mangësitë e prioritetet.
Libri nuk shpreh tendencën “të bindë”. Ai përshkruan, argumenton si kohën, ashtu edhe karakterin. Përshkohet nga një atmosferë dinjitoze dhe regjisori i saj është e vërteta. Konceptet e rrëfimit shkojnë drejt një epiqendre, e cila përmbledh gjithë gamën e përmbajtjes – e vërteta. Pra nuk ka ngacmim, as hyjnor, as panegjirik për të kundërtën e asaj çka analizohet. Pohimet, që sipas mendësisë dhe subjektivitetit të secilit mund të merret kështu apo ashtu, përmbajnë vlera konkrete.
Në tërë librin nuk ka pikëpamje as këndvështrime të parapërcaktuara, apo kundërthënëse, por një përsiatje të rrafshuar për tërësinë e objektit njeri, me nuancat përkatëse të mbrujtjes së të vërtetës.
Qëndrimi moral i autorit ka qenë pikërisht karakteri njerëzor, i parë jo i veçuar, dhe jo për ndonjë trill, por për të mirën e perspektivës, si të atij vetë, ashtu edhe të së përgjithshmes, për kahen pozitive të shoqërisë, ashtu si e thotë Nelson Henderson, se kuptimi i vërtetë i jetës është të mbjellësh pemë, nën hijen e të cilave ti nuk pret të rrish.
A ka stilizim të figurës në këtë libër? Një figurë që autori e ka vendosur në pozicion ta sharrojnë, apo ta shkatërrojë?
Të gjitha të dhënat në libër janë qëmtuar në përditshmërinë e jetës, duke i vënë në analizë me qëllim që të zbulohet thelbi, e njohura, realja dhe jo fiktivja dhe subjektiviteti i shtrembëruar.
Dhe nuk ka sekrete, nuk ka të fshehta, nuk ka të jashtëzakonshme. Zaten “njeriu i jashtëzakonshëm” i paraqitur në mjedise e humbet vlerën, pasi është i fryrë. Kurse libri e nxjerr figurën ashtu siç ka qenë dhe është. Dhe ky realizëm është fuqia kryesore e tij.
Autori nuk parashtron asgjë hipotetike. Konkretësia e të dhënave nuk ka për qëllim të bëjë dikë fajtor, t’ia ngarkojë gabimet e të metat. Madje mund të thuhet se ndjehet edhe filantropizmi i autorit, që e ka burimin në objektivitetin, siç ka thënë - Eleanor Roosevelt: Është më mirë të ndezësh një qiri sesa të mallkosh terrin.
Nëse regjimi totalitar qe një sfidë për kombin, sfidë për të kaluarën, sfidë për shqiptarizmin, sfidë për nderin dhe urtinë tradicionale etj., atëherë edhe libri tenton të sfidojë këtë përmbajtje, që në mjedisin e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, po ruhet edhe sot, megjithëse jo me intensitetin e dikurshëm.
Nuk mund të ecë shoqëria përpara, nëse shpifjet, mashtrimet, rrenat, që ia trazonin e ia trazojnë gjakun gjithkujt dhe që janë kënaqësi e inkuizitorëve fizikë e shpirtërorë, të mos nxirren në dritën e diellit. Nuk mund të ketë përparim, nëse nuk tentojmë të shkatërrojmë parashtrimet antinjerëzore dhe antikombëtare.
Libri nuk ngrihet kundër personit, por dëshiron të vërë në pah dhe të mund të ndreqë krizën e identitetit, ngjyrat e të cilit janë të papërshtatshme me zhvillimin kombëtar e demokratik të shoqërisë.
Këndvështrimi i autorit nuk është thjesht personal, por ai mundohet të tejkalojë në parashtrim të përgjithshëm, të bëhet si një zëdhënës pa inat, pa hile, pa tendencë i mjedisit intelektual shqiptar. Dhe kjo përbën një rrah për diskutime praktike, jo thjesht për çka përmban libri, por për problemet e çështjet tejet të rëndësishme të mjedisit shqiptar intelektual.