E Diel, 1 Nëntor 2026

Ta shpëtojmë Darfurin pa e ndihmuar

Marrëveshja për Paqen është nënshkruar para katër vjetësh, por në Darfur, qindra mijëra persona jetojnë ende në kampet e refugjatëve. Ndihma humanitare ka dështuar. Tashmë, pas ardhjes së Obama-s në pushtet, Uashingtoni ka vendosur të ndryshojë strategji

Në korrik të vitit 2009, gjashtë vjet nga fillimi i konfliktit të Darfurit, gjenerali amerikan, aktualisht në pension, Scott Gration, shkoi në kampet e refugjatëve në Kass, 80 kilometra nga Niala, qendra e Darfurit Jugor. Para pak kohësh, Presidenti amerikan, Barack Obama, e kishte dënuar gjenocidin në Darfur. Gration, i cili ishte zgjedhur si i dërguari special i Uashingtonit për Sudanin, shpresonte të çlironte popullsinë nga jeta e tmerrshme e kampeve të refugjatëve.

Disa prej këtyre kampeve, të shpërndara në të gjithë zonën, mbajnë deri në njëqindmijë refugjatë. Për të takuar Gration, sheikët e fiseve refugjatë në kampe, kishin veshur tunikat e tyre më të mira dhe mbanin syze dielli. Gratë e disa prej tyre, që kishin lindur fëmijë në kampe, ua kishin vënë emrat të vegjëlve Barack. Gration kishte ambicie të mëdha: donte të ndihmonte Darfurin ta hidhte pas krahëve gjenocidin, që sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, ka shkaktuar 300 mijë viktima dhe pothuajse 3 milionë refugjatë.

Gjenerali, bij misionarësh, është rritur në Afrikë dhe e di se çdo të thotë të jesh refugjat. Kur ishte fëmijë, luftërat e vazhdueshme në Republikën Demokratike të Kongos, e detyruan familjen t’ia mbathte tri herë. Por në kampet e refugjatëve në Darfur është vënë re që, përveç dëshpërimit, kishte diçka të çuditshme. Sheikët kishin telefona celularë dhe i përdornin për t’u dërguar mesazhe kryetarëve të grupeve rebele të mërguar në Paris. Në disa kampe, sheikët kishin krijuar grupimet e tyre, me shumë dëshmitarë në favorin e tyre dhe forca sigurie. Kampet e refugjatëve ishin shndërruar në qendra të reja të pushtetit politik dhe refugjatët janë bërë peng i një loje më të madhe se ata.

Në Kass, Gration është ulur nën një tendë për të biseduar me sheikët. Përpara tij gjendej një grup të moshuarish, të veshur shik. “Cila është gjëja më e rëndësishme për të cilën keni nevojë”, i pyeti gjenerali sheikët. “Banjat e pa shkatërruara”. “Kur ishit nëpër fshatra, kush ishte përgjegjës për banjat?”, vazhdoi më tej Gration. “Ne”, u përgjigj dikush. “Po tani?”, pyeti sërish gjenerali. Sheikët treguan me gisht një grup njerëzish të bardhë, të cilët ndodheshin larg: ishin disa perëndimorë që punonin për shoqatat humanitare.

Gjithsesi Gration vuri re të njëjtën inerci. E dinte që rikthimi në jetën normale është shumë i vështirë dhe jashtëzakonisht i ngadaltë, por besonte se ishte i mundur. Të gjithë njerëzve që takonte u bënte të njëjtën pyetje: “Ku do të donit të ishit pas pesë vjetësh?”. Por asnjëherë nuk mori përgjigje.
Në një kamp tjetër, Gration bisedoi me një grup sheikësh që kërkonin më shumë para për ndihmën e shpejtë, kontrollet dhe personelin e kualifikuar. Në fjalët e tyre dalloje vetëm dëshpërim dhe vuajte.
Pas gjashtë vjetësh konflikt, statistikat të bënin të mendoje se vendi ishte stabilizuar. Darfuri ka një popullsi prej 6 milionë banorësh. Në qershor të vitit të kaluar u kryen 16 vrasje, gjë që tregon se tashmë Darfuri është një vend i sigurt po aq sa çikagoja. Gration vuri re se qëndrimi i qeverisë sudaneze ndaj refugjatëve ishte i tmerrshëm: pse sheikët nuk mund të ktheheshin në fshat me gratë e tyre? E ardhmja ishte në duart e tyre, jo në ato të Perëndimit. Nëse nuk do të kishte të dhëna për të zgjidhur situatën, duke negociuar me qeverinë sudaneze, vendasit do të kishin mbetur dhe për gjashtë vjet në kampe, duke u ankuar për të njëjtat probleme. Për qeverinë “Obama”, vlerat morale në lojë në Darfur kanë qenë të qarta që në fillim. Barack Obama është ndër të parët që ka mbështetur ndihmën amerikane në atë zonë dhe disa nga këshilltarët e politikës së jashtme kanë drejtuar lëvizjen për të ndaluar gjenocidin. Gazetarja Samantha Power, autorja e librit “Zëra nga ferri” dhe tani anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka qenë gazetarja e parë që është marrë me kronikën e konfliktit sudanez.

Liderët perëndimorë kanë studiuar për dhjetë vjet gabimet e bëra në katastrofën ruandeze dhe tashmë kanë ndryshuar strategji. Në Darfur e kanë cilësuar masakrën “një gjenocid” dhe si pasojë kanë forcuar Gjykatën Ndërkombëtare të Apelit për të siguruar një drejtësi më efikase. Për herë të parë, një President i përfshirë në këtë çështje ka marrë një mandat arrestimi për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit. Ndërkohë ka qenë gati operacioni më i kushtueshëm i ruajtjes së paqes në të gjithë historinë: janë dërguar 26 mijë ushtarë për të mbrojtur civilët dhe është vënë në përdorim një plan gjigand për ndihmat humanitare - produkte ushqimore, ujë i pijshëm, ndihmë mjekësore - drejtuar nga 17 mijë bashkëpunëtorë. “Lufta në Somali dhe Ruandë ishte e shpejtë, por e shkurtër”, shpjegon Jan Pronk, ish-shefi i misionit të OKB-së në Sudan. “Darfuri është ndryshe. Lufta është intensive dhe vazhdon prej kohësh”.

Kur Gration erdhi në Darfur, luftimet kishin përfunduar dhe civilët jetonin nëpër kampe, por ishte e vështirë të thoshe që ishte bërë progres në zgjidhjen paqësore të konfliktit. Ende sot “janjaweed”, milicitë përgjegjëse për shumë nga krimet e kryera në Darfur, nuk janë çarmatosur dhe qeveria, e cila i ka mbështetur masakrat që kanë kryer, vazhdon të jetë në pushtet. Miliona refugjatë jetojnë nëpër kampet si ato të Kass-it. Shoqëria e tyre rurale ka ndryshuar. Disa zona të Nialas i ngjajnë qyteteve të shkatërruara perëndimore, ku punëtorët humanitarë jetojnë brenda kështjellave të gurta, të ndërtuara me shpejtësi dhe furi.
Pasi e pa nga afër gjendjen e kampeve të refugjatëve dhe studioi nga afër situatën politike në Sudan, Gration i propozoi Uashingtonit të ndryshonte strategji. Ai kërkoi të hiqeshin sanksionet ekonomike të vendosura nga qeveria e Khartumit dhe të riorganizoheshin ndihmat ndërkombëtare, në mënyrë që inkurajoheshin refugjatët për t’u kthyer në fshatrat e tyre. Ndoshta paaftësia për të zgjidhur konfliktin në Darfur ka treguar limitet e ndërhyrjes: janë nënvlerësuar përmasat dhe vështirësitë e problemit për të cilin shumë misionarë ishin përpjekur për ta zgjidhur.
Kullat prej guri
Në javën e tretë të çdo muaji, organizata humanitare “World Vision”, u shpërndan racionin mujor të ushqimit 82 mijë refugjatëve të Kalmas, një nga kampet e para të ndërtuara për refugjatët e brendshëm. Herët në mëngjes, njerëzit fillojnë të vihen në radhë për të marrë racionin. Në Kalmas ka ambulatorë, shkolla dhe pompa që sigurojnë ujin e pijshëm, por është buka ajo që i mban të lidhur këtu refugjatët, edhe pse ndonjëherë mund të jetë shitur. Zakonisht 20 për qind e racionit të një familjeje përfundon në tregun e fshatit. Në pjesën më të madhe të rasteve, produktet janë ende të mbështjella me paketimin origjinal. Kalma është krijuar në vitin 2004, si një aglomerat i çrregullt tendash dhe mbulesash plastike, të lidhura me shkopinj të mbledhura së bashku përreth një pike shpërndarjeje, e administruar nga një organizatë humanitare norvegjeze. Ende sot nuk ka një perimetër të qartë dhe përfundon në shkretëtirë.
Darfuri është vrerosur nga rivaliteti shekullor mes pastorëve me origjinë arabe, të cilët kullosin bagëtitë e tyre në ato pak toka të mbetura dhe fiset arabe të fermerëve, që kanë nevojë për ato pak toka për të mbjellat e tyre. Konfliktet mes këtyre grupeve kanë përparuar shumë vitet e fundit, kur popullsia në Darfur është rritur dhe shkretëtira është zgjeruar, duke gllabëruar atë që dikur ishte tokë pjellore bujqësore.
Qeveria sudaneze është përballur me pastorët dhe ka përdorur milicitë tribale për të forcuar rolin e saj në zonë. Fiset afrikane kanë reaguar, duke formuar grupe rebele, të cilët kanë ngritur armët kundër Khartumit. Qeveria është përgjigjur duke bombarduar fshatrat afrikane dhe i ka nxitur milicitë arabe drejt një fushate të vrasjeve në masë. Që nga ajo kohë “janjaweed” dogjën fshatra të tëra, helmuan puset, shkatërruan të mbjellat, masakruan burrat dhe fëmijët, përdhunuan gratë të cilat nuk mund të largoheshin. 40 për qind e fshatrave të zonës janë boshatisur dhe shumë nga civilët në arrati kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet.
Në Kalma, burrat dhe gratë e mësuara me një mënyrë të tmerrshme jetese, kanë mbetur të shtangur në botën moderne. Gjatë gjithë natës refugjatët mbushin rrugët e pluhurosura të fshatit. Të shtënat janë të vazhdueshme. Djemtë punësojnë vullnetarë për grupet rebele, ndërkohë që bandat e vogla sekuestrojnë automjetet e ndihmave dhe i shesin ushqimet në tregun e fshatit, ku gjenden edhe produkte e materiale të tjera, së bashku me nikelin dhe celularët. Të gjithë refugjatët që jetojnë në fshat janë viktima të dhunës së qeverisë, por luftojnë edhe mes tyre. “Kam qenë në kampet e refugjatëve të Etiopisë e Kamboxhias dhe situata ishte me të vërtetë e mjerueshme”, tregon Richard Williamson, i dërguari special i administratës “Bush” në Sudan. “Në Darfur ka situata të dëshpëruara, të përkeqësuara nga terrori”. Ndonjëherë refugjatët u vjedhin gamile dhe bagëti nomadëve, që më pas këta të fundit i kërcënojnë se do t’u përdhunojnë gratë për çdo kafshë të vjedhur. “Tani fshati është i sigurt. Nuk ka të krahasuar me atë që ndodhte më parë, kur “janjaweed”-ët me kuaj sulmonin papritur një fshat”, thotë Scott Aronson, i cili ka kaluar tre vjet në Kalma, duke punuar për një organizatë humanitare perëndimore. “Megjithatë nuk mund të thuhet që konfliktet kanë marrë fund”

Sheiku Abdullah

Mrekullia e Kalmas është meritë e pasurisë që vjen nga iniciativat e ndihmave ndërkombëtare. Darfuri është një nga vendet më të izoluara të Afrikës. është i madh pothuajse sa Spanja dhe shumë i vështirë për t’u mobilizuar. Llojet e ushqimeve destinuar fshatrave, gjysma e paguar nga qeveria amerikane, duhet të dërgohen në Portin e vetëm në Sudan, në Detin e Kuq, pastaj të transportohen për mijëra kilometra në rrugë tokësore, me tren ose kamion. Ndihmat nuk kanë ushqyer dhe veshur vetëm refugjatët e Kalmas. Kanë krijuar një botë që refugjatët dhe liderët rebelë nuk dëshirojnë dhe nuk mund ta braktisin. “Ndonjëherë ndihmat nuk i zgjidhin konfliktet, por i krijojnë ato”, thotë Hashim Alamein, drejtori ekzekutiv i Afagut, një organizatë humanitare sudaneze që jep ndihma në Darfur.

Sheikët, pohojnë punëtorët humanitarë, i ndalojnë me forcë refugjatët të kthehen nëpër fshatra, për të mbajtur ndikimin e tyre politik. Në kampe disa kanë qëllime të tjera: do të dëshironin të studionin, të transferoheshin në qytet ose të ktheheshin në shtëpi. Por me pak para dhe vendin ende të zhytur në mjerim dhe luftë pambarim, largimi duket i pamundur. Në kampe jeta është e lehtë: fëmijët qëndrojnë në shkollë më gjatë se sa qëndronin në fshat dhe gratë mund të gjejnë një punë me agjencitë e ndihmave. “Po ndryshojmë strukturat sociale”, thotë Aroson. “Nuk është dhe aq e tmerrshme, megjithatë njerëzit do t’u nënshtrohen një sërë ndryshimesh, për të cilat nuk janë të përgatitur. Ky është një proces i sforcuar”. Punëtorët humanitarë me ekspertë shpjegojnë se në harkun kohor të dy viteve, pjesa më e madhe e refugjatëve nuk beson më në mundësinë për t’u rikthyer në shtëpi. Nëpunësit e Kombeve të Bashkuara po përpiqen të nxisin refugjatët të braktisin kampet dhe të kthehen në fshatrat e tyre, por vetëm një pakicë ka pranuar ta bëjë. “është koha të japim më pak ndihma”, thotë Tony Lanzer, koordinatori humanitar i OBS-së për Sudanin.

Në tetor të vitit 2003, në fillimin e konfliktit, sheiku i Halof-it, i transferoi banorët e fshatit të tij në kampet përreth Nialas. Ishin pothuajse 200 familje. Disa ditë para, një grup “janjaweed” kishte sulmuar fshatin duke vrarë 25 persona. Familjet i kultivonin prej kohësh ato toka, të cilat për një minutë u shkatërruan të gjitha. Sheikut Mohamed Adam Abdullah nuk i pëlqyen kampet. Ishin të populluar me njerëz, të pisët dhe të rrezikshëm. Nuk kishte më toka bujqësore dhe asgjë nuk i ngjante më një jete reale. Për arsye të paqarta, sheiku Abdullah u përfshi në një telash burokratik dhe nuk arriti të fitonte teserat për të marrë racionet e ushqimeve. Në maj të vitit 2005, pasi kaloi një vit e gjysmë nëpër kampe, banorët e Hadof-it po vdisnin urie dhe sheiku Abdullah vendosi të kthehej në shtëpi bashkë me njerëzit e tij.

Qeveria sudaneze, që kishte nisur një fushatë për ripopullimin e Darfurit, theksonte se nuk kishte probleme sigurie. Sheiku Abdullah kishte dyshime, por në kamp jeta ishte e tmerrshme. “Nëse duhet të vdesim, është të mirë të vdesim në fshat”, tha ai. Pas pesë vjetësh, sheiku Abdullah dhe banorët e Halof-it iu futën punës për të rimëkëmbur ekonominë. Pavarësisht kësaj, Halofi është një fshat model: është i sigurt, i mbrojtur dhe mirorganizuar. Nëpunësit e OKB-së shpresojnë të krijojnë këto kushte në të gjithë Darfurin, por për t’u ripopulluar do të duhen vite. Gjithsesi, edhe pse gjendja është përmirësuar, në Halof njerëzit vazhdojnë të ëndërrojnë ushqimin që shpërndahej nëpër kampe.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›