Financat: Vendosja e kasave nis në muajin tetor
Projekti i kahershëm për vendosjen e pajisjeve fiskale, ose siç quhen ndryshe kasat regjistruese, pritet të nisë zbatimi shumë shpejt. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave konfirmojnë se javën e kaluar është nënshkruar marrëveshja mes pesë kompanive fituese të tenderit dhe ministrit Ridvan Bode. Kontrata e firmosur mes palëve autorizon subjektet fituese që të nisin punën për vendosjen e pajisjeve fiskale pranë bizneseve, duke iu referuar vendimit të qeverisë, 14 nëntor 2007. Nisja e këtij procesi duhet të ishte zbatuar që në muajin mars 2008, por negociatat mes dy palëve për vendosjen e pikave në kontratë bënë të mundur shtyrjen e afatit. Megjithatë, duke u nisur nga fakti se projekti daton për herë të parë që në 1993, zyrtarë të Financave shprehen të kënaqur për marrëveshjen e arritur, në bazë të së cilës parashikohet vendosja e kasave përreth 75 mijë subjekte të vogla dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë.
Projekti, gjermanët do të ndërtojnë aeroport në Sarandë
Kryeministri Sali Berisha pranon projekt-idenë e "Dorsch Groupe Holding" për ndërtimin e një aeroporti në Sarandë, si dhe disa projekte në infrastrukturën e ujësjellësve. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, kryeministri Berisha priti dje në një takim presidentin e kompanisë gjermane "Dorsch Groupe Holding", Jurgen Roder. Pasi falënderoi investitorët gjermanë për interesin e shprehur për ndërtimin e një aeroporti në Sarandë, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se "ky është një projekt me ndikim të madh në zhvillimin e turizmit në këtë zonë". Berisha informoi investitorët e "Dorsch Groupe Holding" se po negociohet edhe me kompaninë "Tirana Airport Partner" për të adresuar çështjet juridike të kontratës koncesionare për fluturimet ndërkombëtare. Gjatë bisedës, kryeministri Berisha i njohu investitorët gjermanë edhe me mundësitë për investime që ofron Shqipëria.
19 Shtator 2008