E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi zë 40 për qind të totalit të kreditimit nga sistemi bankar në vend



Ervin Koçi

Sektori i ndërtimit në vend përbën sot jo vetëm një nga sektorët më kyç të ekonomisë, por edhe një nga drejtimet kryesore të kreditimit nga sistemi bankar në Shqipëri. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj mbi zhvillimet ekonomike, bën të ditur se, “për sektorin e ndërtimit sistemi bankar i kreditimit mbulon 40 për qind të totalit të kredive, ose një vlerë prej rreth 1 miliard euro”. Në këtë kontekst, vlerësojnë ekspertët bankarë, “sektori bankar është mjaft i interesuar që të mbështesë tregun e pasurive të paluajtshme në vendin tonë për vetë zhvillimin që ai paraqet në perspektivë”. Aktualisht, përveç kreditimit që bankat private në vend i kanë bërë firmave ndërtuese, ato një pjesë të madhe të portofolit të tyre të kredisë e japin pikërisht për sektorin imobiliar. Mbi 60 për qind e portofolit total të kredive të dhëna nga bankat private mendohet të jetë marrë nga klientë që e kanë përdorur atë për blerjen e apartamenteve të banimit, apo lokaleve të tjera ose pronave të paluajtshme. Edhe gjatë këtij viti, bankat kanë vazhduar të mbështesin me financime ekonominë dhe kryesisht sektorin e ndërtimit.

Kredia

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit 2008, kredia u rrit me 45 për qind. Klientët e preferuar të bankave private në vend mbeten bizneset dhe kryesisht ato të ndërtimit. Të dhënat nga BSH-së tregojnë për një mbështetje të madhe me financime që bankat e nivelit të dytë po i bëjnë sektorit privat. Në fund të muajit qershor të këtij viti, kredia e dhënë për ekonominë shënoi një rritje prej 45 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kontributin kryesor në këtë zgjerim të kreditimit e ka dhënë rritja e ndjeshme e financimit të bizneseve në valutë. Kjo për shkak të sigurisë më të madhe që ofrojnë subjektet private kundrejt individëve në shlyerjen e kësteve mujorë të duasë.

Ofertat

Sipas Bankës së Shqipërisë, përshpejtimi i ritmeve të kredisë nga muaji qershor e në vazhdim është i lidhur edhe me prezantimin e shumë produkteve promocionale për thithjen e depozitave si edhe nga huatë e marra prej bankave mëma. Ajo që vihet re edhe gjatë këtij viti është dominimi i huadhënies në valutë, e cila zë një peshë prej 73 për qind në totalin e kredisë së akorduar nga bankat. Si bizneset, ashtu edhe individët preferojnë të marrin kredi në monedhë të huaj, kryesisht në euro, duke përfituar nga interesat më të leverdishme.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›