E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat bllokojnë fondet e SHISH

 

Trazhgim Sokolaj

Ministria e Financave "bllokon" fondet e kërkuara nga Shërbimi Informativ Shtetëror për veprimtarinë e fshehtë. Një shkresë e Ministrisë së Financave, e datës 17 prill 2009, ka bllokuar në Qeveri projektvendimin për dhënien e fondeve shtesë nga Këshilli i Ministrave, për veprimtarinë e fshehtë operative të Shërbimit Sekret. Duke iu referuar nevojës për fonde, SHISH ka kërkuar akordimin e shumave financiare nga buxheti me vendim qeverie, me qëllim plotësimin e kërkesave për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me informacionet dhe punën sekrete. "Shërbimi Informativ i Shtetit, për realizimin e detyrave, të përdorë fondin specifik, operativ si dhe fonde të tjera, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, që vihen në dispozicion për këtë qëllim. Ky fond përdoret për: shpërblimin e burimeve të informacionit, shpenzimet për sigurimin e informacionit, veprimtarinë e strukturave të fshehta, pajisje dhe programe që shërbejnë për sigurimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, sisteme, aparatura dhe pajisje teknike profesionale, mjete motorike dhe marrje me qira të disa objekteve dhe mjeteve në funksion të veprimtarisë operative", thuhet në projektvendimin e dërguar në Qeveri, ku SHISH kërkon akordimin e fondeve nga Këshilli i Ministrave. Ky projektvendim ka mbetur pa u miratuar, çka do të thotë se SHISH nuk ka arritur të marrë fondet e nevojshme që ka kërkuar, me qëllim realizimin e detyrave në punën operative. Duket se për sa kohë që projektvendimi nuk do të jetë miratuar në Qeveri, SHISH do të ketë vështirësi në kryerjen e veprimtarisë operative. Në shkresën "mendim për projekt-vendim" të Ministrisë së Financave, e cila është firmosur nga zv/ministri Florjon Mima, në mungesë dhe me porosi të Ridvan Bodes, thuhet se "në pikën 1 të projektvendimit, për realizimin e detyrave SHISH lejohet të përdorë krahas fondit specifik, operativ, edhe fondet e tjera që i vihen në dispozicion, mendojmë se duhet të qartësohet që bëhet fjalë për fonde, brenda atyre që janë miratuar me ligj nga Parlamenti për këtë institucion". "Nuk jemi të qartë me përdorimin e këtyre fondeve për "dhënie me qira të objekteve dhe mjeteve" gjë që nuk del qartë as nga relacioni shoqërues i projektvendimit", vijon më tej shkresa e Ministrisë së Financave, e cila ka bllokuar VKM-në në Qeveri.

Fondet dhe puna operative e SHISH
Shërbimi Informativ i Shtetit për nevoja të punës operative të tij, mund të marrë banesa me qira në mënyrë të përkohshme. Aty mund të vendosen pajisje apo agjentë që mbikëqyrin persona apo ngjarje të caktuara, që janë objekt i punës operative të SHISH në përmbushje të detyrimeve ligjore për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër kriminalitetit në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›