Tiranë, 4 nxënës vjedhin shkollën "Qazim Turdiu"
TIRANE - Katër adoleshentë, nxënës të klasës së nëntë në shkollën "Qazim Turdiu" në kryeqytet, përfunduan në pranga, pasi akuzohen se kanë vjedhur shkollën 9-vjeçare. Duke thyer disa xhama të dritareve në katin e parë, nxënësit kanë hyrë brenda në shkollë gjatë natës duke marrë katër kompjuterë në laboratorin e informatikës. Policia konfirmoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 ndërsa adoleshentët u arrestuan mëngjesin e djeshëm nga Komisariati nr.3. Roja e një shkolle private, që ndodhet pranë shkollës 9-vjeçare "Qazim Turdiu", ka lajmëruar policinë, pasi ka parë katër adoleshentët duke dalë nga oborri i shkollës me kompjuterë në duar. Policia është vënë në lëvizje menjëherë, duke arritur t'i identifikojë dhe t'i shoqërojë në komisariat 15-vjeçarët: Florian Lataj, Klaudjan Goseni, Julian Kokoshi, Petrit Aluca, të cilët dyshohet se janë nxënës të shkollës ku ndodhi vjedhja. Burimet zyrtare thanë se policia sekuestroi edhe kompjuterët e vjedhur, së bashku me regjistrat e notave e mungesave. Sendet e vjedhura u gjetën në një banesë të braktisur në afërsi të lagjes "Don Bosko" në Tiranë. Duke përfituar nga errësira dhe mungesa e rojës gjatë natës në shkollën 9-vjeçare "Qazim Turdiu", katër adoleshentët kanë kapërcyer hekurat rrethues të shkollës e më pas kanë thyer xhamat e katit të parë. Më pas ata kanë hyrë brenda për të realizuar vjedhjen. Policia tha se materialet e ngjarjes janë referuar në prokurorinë e kryeqytetit për vlerësim ndërsa pritet që adoleshentët të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.