E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat do të përgjojnë doganierët e tatimorët

Autori i Lajmit: red.
Tashmë edhe Ministria e Financave mund të kërkojë përgjimin e personave apo subjekteve të ndryshme për arsye hetimi. Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në ligjin mbi përgjimet , duke i dhënë të drejtë Financave të vënë nën përgjim çdo person të dyshuar.
Ka pasur pak debate në komision për të shtuar edhe Ministrinë e Financave krahas Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat deri më tani në bazë të ligjit të miratuar në parlament vitin e kaluar, kanë pasur të drejtën e kërkesës për përgjim. Pa miratimin e opozitës, me kërkesën e Ministrisë së Financave, nëntë deputetët e PD-së, dhe një i LSI-së kanë pranuar që ky ndryshim në ligjin aktual të dërgohet për miratim në Parlament. Brenda Ministrisë së Financave ka një drejtori për pastrimin e parave dhe një drejtori tjetër hetimi me në krye ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agim Shehu, të cilat mendohet se do të merren me kërkesat për përgjimet pas miratimit të draftit në Parlament.
Projektligji
Projekligji parashikon që Ministria e Financave të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të bëjnë përgjime për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore. Kjo duke pasur parasysh faktin se Ministri i Financave ka në dispozicion forca policore që veprojnë me atributet e oficerit të policisë gjyqësore. Në relacionin shoqërues të draftit përcaktohet vënia në lëvizje e një departamenti operativ hetimor pranë tatim-doganave për të investiguar veprimtarinë e tatimorëve dhe doganierëve, si dhe për të siguruar të dhëna të domosdoshme mbi realizimin e detyrave të tyre ligjore.
Ndryshimet në ligjin për përgjimin
Neni 6
Organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit
1. Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes,
ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore.
2. Asnjë prej institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni nuk ka të drejtë të parashtrojë një kërkesë për përgjim për çështje ose veprimtari që nuk janë parashikuar me ligj në objektin e punës e të veprimtarisë së tyre informativo-gjurmuese.
Neni 7
Kërkesa për përgjim
1. Kërkesa për përgjim, e paraqitur nga subjektet e parashikuara në nenin 6 të këtij ligji, hartohet në dy kopje, një kopje e së cilës depozitohet pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe një e mban vetë institucioni.
2. Kërkesa përmban:
a) institucionin kërkues, emrat dhe funksionet e punonjësve që ndjekin procesin informativo-gjurmues;
b) gjeneralitetet dhe adresën e subjektit në proces informativo-gjurmues ose në ndjekje, si dhe adresën e mjedisit/mjediseve me të cilat lidhet kërkesa për përgjim;
c) përshkrimin e telekomunikimeve që do të përgjohen dhe të dhënat për operatorin e telekomunikacionit që i ofron shërbim subjektit që do të përgjohet;
ç) arsyet e përgjimit, si dhe bazën dokumentare ose materialin informativ ku mbështetet kërkesa për përgjim;
d) argumentet që vërtetojnë se përgjimi është i domosdoshëm në situatën e krijuar dhe se të dhënat që kërkohen nuk mund të sigurohen me mjete të tjera;
dh) afatin kohor brenda të cilit kërkohet të bëhet përgjimi.
Neni 8
Dhënia e të drejtës për përgjim
Prokurori i Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH-it, Ministrit të Rendit Publik, Ministrit të Mbrojtjes ose Ministrit të Drejtësisë, ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›