E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhgënjimi jugosllav kur mësoi flirtin Moskë-Tiranë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Anatole Shub, korrespondent i shërbimit të jashtëm të “Uashington Post”, Beograd

Beograd, 28 maj 1963 – Vetëm tre muaj më parë, diplomatët perëndimorë në kryeqytetin jugosllav, nuk e kuptonin presidentin Tito sesi mund të përdorte fjalën “mosrreshtim” në politikën jugosllave. Në fillim të muajit dhjetor, gjatë vizitës së tij në Bashkimin Sovjetik, ai po thoshte se Jugosllavia do të vendoste marrëdhënie “të afërta” me vendet “socialiste” të bllokut sovjetik. Por tani, politika jugosllave duket se është kthyer në rutinën e saj të gjatë e të zakonshme neutrale. Shtypi po e përshkruan “mosrreshtimin” si politikën e përhershme të këtij shteti dhe Titoja u ka garantuar personalisht vizitorëve jokomunistë suksesin e kësaj politike dhe se nuk do t i bashkëngjitet në asnjë rrethanë bllokut sovjetik. Si rezultat i shpërbërjes së përpjekjes së dimrit të shkuar për afrimin jugosllavo-sovjetik, nisën të lindnin dyshimet nëse Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita S. Hrushovi, do t i kthente vizitën e premtuar të tij këtë verë. Disa vëzhgues këtu e konsiderojnë një vizitë të tillë të mundshme përpara mbylljes së bisedimeve të partive komuniste sovjeto-kineze, që pritet të nisin në Moskë më 5 korrik. Ka prova të konsiderueshme që Titoja ka qenë thellësisht i zhgënjyer me sjelljen e Moskës këto dy muajt e fundit dhe tani është i frikësuar se udhëheqësit sovjetikë mund përsëri, ashtu si në vitin 1957 dhe 1960, të bëjnë kompromis me kinezët në kurriz të Jugosllavisë. Në një fjalim të ashpër antikinez dy javë më parë, Presidenti jugosllav paralajmëroi kundër “çdo kompromisi apo marrëveshjeje të pamoralshme” mes partive drejtuese komuniste “në kurriz të partive të tjera”. Ai deklaroi se “një dëm i madh” do të bëhej “nëse partitë komuniste, veçanërisht ato më të fortat, do të miratonin apo të pranonin pikëpamjen aktuale të kinezëve”. Ai refuzoi, në fakt, idenë e një konference botërore komuniste për të zgjidhur dallimet mes Moskës dhe Pekinit, një ide që u propozua nga Pekini një vit më parë, të cilën Moska tani e ka pranuar në parim. Ideja e dytë jugosllave për afrimin me Kremlinin fillimisht u shfaq në 31 mars, kur marshalli Tito, në një dolli gjatë vizitës së tij me Presidentin meksikan, Adolfo Lopez Mateos, përdori fjalën “mosrreshtim për herë të parë që kur ishte kthyer nga Rusia. Tri javë më vonë, Tito i dërgoi një letër personale Presidentit amerikan, Xhon Kenedi, ku e siguronte se Jugosllavia do të qëndronte e pavarur dhe shpresonte që të përmirësonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Menjëherë pas kësaj, një diplomat perëndimor bëri të ditur se Presidenti jugosllav dukej “krejtësisht i dorëzuar” për mundësinë e një tjetër marrëveshjeje ruso-kineze në dëm të tij. Një veprimtari dyjavore e ngjeshur diplomatike më herët këtë muaj konfirmoi përshtypjen e padurimit jugosllav për të ndrequr muret rrethuese me botën jokomuniste. Marshalli Josif Broz Tito pati një vizitë të suksesshme me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Din Rask, Presidentin e Finlandës, Urho Kekonen, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, U Tan dhe Presidentin egjiptian, Gamal Abdel Naser. Deklaratat zyrtare dhe komentet gazetareske për të gjitha këto takime theksonin rolin e vendeve që nuk rreshtoheshin dhe se Kombet e Bashkuara, duke negociuar mes “fuqive të mëdha”, ashtu si edhe Jugosllavia, dëshirojnë të ruajnë marrëdhëniet e mira me këdo. Edhe pse opinioni publik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi ashpër ndaj misionit të Titos në Moskë, linja e re jugosllave nuk duket se vjen si rezultat i ndonjë presioni perëndimor. Në muajt e fundit, në fakt, Britania dhe Franca, secila zgjeroi numrin e kredive për Jugosllavinë, Gjermania Perëndimore ka nisur të negociojë një marrëveshje të re tregtare dhe Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar kongresit fuqinë që të rikthejë trajtimin e vendeve të preferuara me importe nga Jugosllavia dhe Polonia. Kjo zhvendosje e politikës së Jugosllavisë përfaqëson më shumë një reagim ndaj zhvillimeve të çoroditura në Moskë këtë pranverë. Hrushovi, me sa duket, arriti të bindë Titon vitin e kaluar që ai do të bënte lëshime të dukshme për të lehtësuar tensionet e luftës së ftohtë me Perëndimin dhe se nuk do të konsideronte asnjë kompromis në përputhje me pikëpamjet kineze. Mbi këtë bazë, zyrtarët jugosllavë më pas, hapën fjalët se Sekretari i Partisë Komuniste Sovjetike duhej “mbështetur” për hir të paqes botërore. Jugosllavët u inkurajuan kur Rusia pranoi ligjin e kontrollit të bashkëpunimit për të mbajtur nën kontroll ndalimin e një testi bërthamor. Ata parashikuan se dhe lëshime të tjera të sovjetikëve, për çështje të tilla si Berlini, do të vinin pas këtij hapi të parë. Zhgënjimi i tyre nisi në mënyrë të dukshme si rezultat i riformatimit të trupave në Moskë. Rusët ishin të pranishëm me inspektorët e tyre gati 3 herë në vit dhe refuzuan të diskutonin detaje të tjera për ndalimin e testeve bërthamore. Beogradi u dekurajua akoma më tej, kur rusët në shkëmbimet e korrespondencës me kinezët jo vetëm që vazhduan të nënvizonin “dallimet serioze” me komunizmin jugosllav, por edhe shfaqën se ata kishin bërë përpjekje për të nisur bisedimet drejt një afrimi të mundshëm me Enver Hoxhën e Shqipërisë, armikun më të madh të Titos. Dhe muajin e kaluar, përfaqësuesit diplomatik të Jugosllavisë në Moskë iu desh të nxiste Hrushovin dhe Presidentin e Bashkimit Sovjetik, Leonid Brezhnjev, për të përshëndetur formalisht Titon për kushtetutën e re të vendit të tij. Ky urim erdhi dhjetë ditë me vonesë dhe u duk qartazi zymtësia me të cilën u shpreh. Një artikull i gazetës së linjës partiake shqiptare “Zëri i popullit” do të shkruante dy muaj më parë se qëndrimi ndaj revizionistëve jugosllavë ishte një çështje madhore. “Lëvizja komuniste e punëtore ndërkombëtare ka dënuar e demaskuar tradhtarët e marksizëm-leninizmit e të çështjes së socializmit, klikën revizioniste jugosllave. Ajo ka bërë një luftë të vazhdueshme parimore kundër pikëpamjeve thellësisht antimarksiste dhe veprimtarisë minuese e përçarëse të revizionistëve jugosllavë. Këtë luftë ajo e ka konsideruar si një detyrë të saj të dorës së parë për mbrojtjen e pastërtisë së doktrinës marksiste-leniniste dhe të unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Ky qëndrim i njëzëshëm ndaj revizionistëve jugosllavë është shprehur qartë e sanksionuar në dokumentin e përbashkët pragmatist të të gjitha partive komuniste e punëtore, në Deklaratën e Moskës të vitit 1960. Në të thuhet: "Partitë komuniste dënuan njëzëri formën jugosllave të oportunizmit ndërkombëtar, që është shprehje e koncentruar e teorive të revizionistëve të sotëm. Pasi tradhtuan marksizëm-leninizmin, duke e shpallur atë të vjetruar, udhëheqësit e LKJ-së iu kundërvunë Deklaratës së vitit 1957, programin e tyre antileninist e revizionist ia kundërvunë LKJ-së, tërë lëvizjes komuniste ndërkombëtare, e shkëputën vendin e tyre nga kampi socialist, e vunë atë nën varësinë e të ashtuquajturës ndihmë të imperialistëve amerikane dhe të imperialistëve të tjerë dhe në këtë mënyrë krijuan rrezikun e humbjes së fitoreve revolucionare të arritura me luftën heroike të popullit jugosllav. Revizionistët jugosllavë bëjnë një punë minuese kundër kampit socialist dhe lëvizjes revolucionare ndërkombëtare. Nën pretekstin e politikës jashtë blloqeve, ata zhvillojnë një veprimtari që i sjell dëm çështjes së unitetit të të gjitha forcave dhe shteteve paqedashëse. Demaskimi i mëtejshëm i udhëheqësve të revizionistëve jugosllavë dhe lufta aktive për ta ruajtur lëvizjen komuniste e punëtore nga idetë antileniniste të revizionistëve jugosllavë, vazhdojnë të mbeten një detyrë e domosdoshme e partive marksiste-leniniste. Por me gjithë qëndrimin e qartë të të gjithë lëvizjes komuniste ndërkombëtare ndaj udhëheqësve revizionistë jugosllavë, Nikita Hrushovi dhe pasuesit e tij, duke ndjekur me gjithfarëlloj pretekstesh vijën e afrimit e të pajtimit me revizionistët jugosllavë, rehabilituan klikën titiste dhe arritën deri në bashkimin e plotë me të. Sidomos vizita e Leonid Brezhnjevit në Jugosllavi në shtator të vitit të kaluar dhe ajo e Titos në Bashkimin Sovjetik, fjalimi i Nikita Hrushovit në Sovjetin Suprem të BRSS-së, më 12 dhjetor 1962 dhe tani Kongresi i 6-të i PSB-së Gjermane, qenë kurorëzimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Nikita Hrushovit për realizimin e këtij qëllimi. Tani, ai, pasi shpalli në mënyre arbitrare LKJ një parti motër dhe Jugosllavinë një vend socialist, po përpiqet ta bëjë fakt në familjen e vendeve socialiste dhe të LKJ në radhët e lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare. Qëndrimi ndaj grupit revizionist jugosllav për programin e politikës së tij, është një çështje thellësisht parimore, është një nga kriteret kryesore për të përcaktuar se në ç pozita politike dhe ideologjike qëndron udhëheqja e kësaj apo asaj partie”.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›